Sot është ditëlindja e Vllaznisë! 98 vite histori!
Edhe pse është një ditëlindje e dëshpëruar pas asaj dhurate aspak të mirë në eleminimin në Kupë ndaj Teutës, kjo ditë e veçantë është harruar në Shkodër. “Dikur fort e ndritun, sot e venitun”- thonë tifozët shkodran. Janë mjaftuar me pak rreshta në faqen zyrtare të klubit Vllaznia por që nuk justifikojnë aspak festën të cilën ky klub meriton në ditëlindjen e saj. Kjo histori përsëritet prej vitesh teksa përvjetori i 16 shkurtit lihet në heshtje totale. Mund të kishte mjaftuar një aktivitet sado i vogël të paktën për t’i thënë një faleminderit të gjithë atyre që për 98 vite bënë që Shkodra të jetë krenare me emblemën e saj, ekipin e futbollit Vllaznia. Nuk ka të bëjë me moskujtesën e kësaj date se sa drejtuesit kanë harruar me qëllim përvjetorin. Vllaznia nuk është në ditët e saj më të mira por siç thonë edhe tifozët, e venitur. Kjo venitje ka 5 vite që përsëritet ndryshe nga Vllaznia e madhe e viteve të kaluara, viteve kur kuqeblutë jo vetëm ishin pretendentë duke mbushur stadiumin por edhe sillnin trofe. Kohët e lavdishme duket sikur kanë mbaruar për kuqeblutë të cilët në vend të piedestalit ushqim të përditshëm kanë mbijetesën në Superligë. Një lëkundje kjo që mund të jetë një justifikim për drejtuesit të cilët nuk bëjnë as urimin tradicional: gëzuar ditëlindjen! Shkallët në stadium janë të boshatisura sepse tifozët nuk njohin këtë Vllazni por një tjetër, Vllazninë fitimtare. Ardhja e trajnerit Armando Cungu edhe pse ka ndryshuar situatën disi sërish nuk ngroh edhe aq shumë, brengosje të cilën e thotë edhe vetë trajneri në deklaratat për shtyp. Harresa ndoshta me dashje e përvjetorit të 98-të nuk i shërben askujt, përkundrazi mund të ishte një frymëzim më shumë për skuadrën. Dinjiteti i shumë brezave që nga 1919-ta të cilët i dhanë famë Vllaznisë nuk mund të shkojë dëm me një moskujtesë në ditëlindjen e 98-të. Urimin e munguar “Star Plus” e përcjellë shumë thjeshtë: Gëzuar ditëlindjen Vllazni!