Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami deklaroi sot se qytetari nuk do ketë asnjë kufizim të aksesit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Në nisjen e punës së këtij institucioni të ri të drejtësisë që solli harta e re gjyqësor, Llagami tha se nuk do ketë më dështim të seancave dhe se e vetmja pengesë për qytetarin është se nuk do ta ketë gjyqtarin të aksesueshëm.

“Me gjithë kundërshtitë dhe me gjithë zërat që nuk do funksionojë, nga ana e Këshillit kemi marrë të gjitha masat që kjo gjë të funksionojë dhe më mirë se sa e kishim parashikuar. Sot janë marrë të gjitha ato vendime që kanë bërë të mundur optimizimin në kohë reale të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila është gjykata pritëse për gjykatat e tjera, për hartën e re gjyqësore. Dëshiroj të falënderoj stafin e gjykatës, kryetaren në detyrë të kësaj gjykate, znj. Valdete që kanë bërë të mundur një punë mjaft të mirë”, tha Llagami.

Ajo theksoi se çdo çështje që ka filluar gjykimin në Gjykatat e dikurshme të Apelit, do vazhdojë gjykimin, janë 1868 çështje që vazhdojnë proceset gjyqësore.

“Janë 27 mijë çështje që janë bashkuar për shkak të zhvillimeve që kemi bërë dhe teknologjisë së informacionit, kanë emigruar dhe janë gati për t’u rishortuar në trupën gjyqësore prej 25 vetash. Sipas llogaritjeve, çdo gjyqtar i kësaj gjykate do të ketë rreth 1080 çështje. Pra, çdo gjyqtar këtu ka më pak çështje se sa ka një gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë që ka shkuar në 1500 çështje. Që do të thotë që puna që ne do bëjmë këtu dhe mbështetja që do të kemi këtu padyshim që do ketë një impakt të madh në uljen e dosjeve dhe dhënien e shërbimeve për qytetarët”, deklaroi ajo.

Sipas Llagamit, nga ana e KLGJ janë marrë masa për një staf administrativ gjyqësor.

“Një gjyqtar ka 5.5 staf administrativ që asiston, ku përfshihet me ndihmësa ligjorë, me sekretare gjyqësorë.Kemi të gjitha sallat dhe zyrat dhe Këshilli po punon për idenë e një Gjykate të re të Apelit të Përgjithshëm. Kemi gjetur mbështetjen e qeverisë që këtë gjykatë të re ta kemi shumë shpejt, të fillojë projekti. A do ta kemi këtu ku jemi, duke ndërtuar një godinë të re dinjitoze, për të pasur një trupë prej 78 gjyqtarësh apo do ta kemi në një vend tjetër për ne nuk ka rëndësi. Për ne ka rëndësi që ne të kemi një njësi të mirë shërbimi që t’i ofrojmë qytetarit shërbim cilësor në kohë reale. Meraku tjetër që kemi të gjithë, çfarë do të ndodhë me qytetarët në ato gjykata, ku do e marrin shërbimin? Për qytetarët nuk do ketë asnjë pengesë”, u shpreh ajo.

Kryetarja e KLGJ deklaroi se nuk do kemi asnjë kufizim edhe të aksesit në gjykatë për qytetarin.

“E vetmja pengesë që do ketë qytetari është se nuk do ta ketë gjyqtarin të aksesueshëm. Qytetari do ta marrë shërbimin aty ku e ka marrë për gjithë këto vite, pra në godinën e Gjykatave të mëparshme të Apeleve dhe aty do të marrë një shërbim i cili do të jetë jo vetëm i lidhur me informacionin, për të depozituar të gjitha aktet që duhen dhe të gjitha kërkesat që duhen për një gjykim në Apel apo një gjykim në Gjykatën e Lartë, por edhe për informacion për dosjen e tij në Gjykatën e Apelit.

Nuk do kemi asnjë kufizim edhe të aksesit në gjykatë për qytetarin. Dhe programimi i çështjeve do e bëjë të mundur që qytetari të kemi mundësi që të vijë në Gjykatën e Tiranës. Duke pasur një trupë të plotë siç është tashmë Gjykata e Apelit të Përgjithshëm, e cila do lejojë mundësinë që të krijohen dy seksione në këtë gjykatë, seksionin civil dhe seksionin penal, padyshim që qytetari nuk do ketë më dështim të seancave siç ndodhte më parë.

A do e marrë shërbimin më kualitativ?

Sa më shumë të specializuar të jenë gjyqtarët, aq më cilësor do jetë shërbimi.
KLGJ po merr masa se si ta mbështesë këtë gjykatë. Sot që ne fillojmë gjykimet në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit nuk do dështojë asnjë seancë”, tha Llagami.

Artikulli paraprakHYN NË FUQI HARTA E RE GJYQËSORE, NGA SOT GJYKATË APELI VETËM NË TIRANË, 32 MIJË DOSJE NË PRITJE PËR 25 GJYQTARË
Artikulli tjetërZGJEDHJET VENDORE, KQZ MIRATON: VOTIM DHE NUMËRIM ELEKTRONIK EDHE NË ELBASAN E KAMËZ, JO VETËM NË VORË