Kur u vu në krye të delegacionit në Rambuje në vitin 1999, shumë pak njerëz e njihnin djalin e ri, nga nënshkrimi i të cilit po varej fati i Kosovës.

Ky ishte Hashim Thaçi, në atë kohë 31-vjeçar, të cilin nuk po e bindnin dot ndërkombëtarët për të vënë firmën në dokumentin, që më pas do t’u hapte rrugë bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë dhe do t’i hapet rrugën mëvetësimit të Kosovës. Djaloshi “rebel” ishte drejtor politik i UÇK-së. Ai do të bëhej kryeministër vetëm një muaj para shpalljes së Pavarësisë, deklaratën e së cilës do ta lexonte ai vet, më 17 shkurt të vitit 2008. I njohur gjatë luftës me nofkën “gjarpri”, Hashim Thaçi u lind në vitin 1968 në fshatin Burojë të Skënderajt, në Drenicë, rajon ky që njihet për kryengritje ndaj pushtuesve që nga koha e Perandorisë Osmane, e deri te lufta e UÇK-së. Thaçi iu bashkua kauzës për pavarësi teksa ishte student dhe u shndërrua në njërin nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes protestuese të fillimviteve ’90. Me intensifikimin e presionit serb ai u largua për në Zvicër, ku studioi histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Zyrih. I kthyer në Kosovë si figurë kyçe e lëvizjes guerrile, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai mori nofkën “gjarpri” për shkak të shkathtësive të tij në shmangien e policisë serbe. Përfaqësuesi më i lartë politik i UÇK-së, menjëherë pas luftës nënshkroi marrëveshjen e çarmatosjes dhe më pas themeloi Partinë Demokratike të Kosovës, si fraksioni kryesor i dalë nga radhët e UÇK-së. Me këtë parti, ai fitoi për herë të parë zgjedhjet parlamentare më 17 nëntor 2007, duke u zgjedhur edhe kryeministër i Kosovës. Gjatë karrierës së tij si kryeministër, Thaçi ka pasur ulje-ngritje; është cilësuar si George Ëashingtoni i Kosovës nga zv.Presidenti Joseph Biden në 2010-n. Ndërsa një vit më vonë, goditja më e e rëndë i vjen nga senatori zviceran, Dick Marty, në një raport ku UÇK-ja akuzohej për krime lufte dhe trafikim organesh, raport që çoi në themelimin e “Gjykatës Speciale”. Që nga viti 2014, bashkë me partinë rivale të Isa Mustafës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, po qeverisin vendin dhe janë duke sfiduar edhe protestat dhe kundërshtimet e opozitës. Pikërisht marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së e nëntorit 2014 e bëri atë President. Tashmë një politikan 48-vjeçar, Hashim Thaçi me flokë të zbardhura do të pasojë ish-Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, i cili gjatë dhe pas luftës ishte rivali më i fortë politik i tij, ish-Presidentin Pacolli, si dhe Presidenten aktuale Atifete Jahjaga. Që nga 7 Prilli, Thaçi do të ulet në karrigen e kreut të shtetit, duke nisur kështu “Misionin e ri” të karrierës politike.

Artikulli paraprakTHAÇI PRESIDENT, POR MEDIAT BOTËRORE JEHONI GAZIT LOTSJELLËS DHE KAOSIT POLITIK
Artikulli tjetërJUBANI FTESË NGA MANCHESTER CITY, DISA VAJZA PROVË NË ANGLI