Hekurudha Shqiptare ka rifreskuar të dhënat për projektin Vorë-Hani i Hotit, duke cilësuar se data që me shumë gjasa do të hapet tenderi për ndërtimin është fillimi i korrikut 2023.

Vlera totale e projektit është 356 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtarë ku vendi ynë ka kërkuar hua. Kështu të paktën 160 milionë euro janë grant nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor, 100 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve.

Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore. Shpallja e këtij njoftimi është bërë në sistemin e BERZH në datë 27 qershor teksa hapja e tenderit është ditën e nesërme.

Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut. Ajo kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit (km 140). Sipas ndarjes administrative, hekurudha përshkon territoret e shtatë bashkive (Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Vau Dejës, Shkodër dhe Malësi e Madhe).

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985. Tërmeti i 29 nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Ishëm por edhe më herët shpejtësia e kalimit të trenave ishte shumë e ulët.

“Infrastruktura e trasesë është përkeqësuar, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave është rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë. Kufizimet e shpejtësisë së trenave vijnë edhe nga kalesat e shpeshta të paautorizuara në nivel (kryqëzimet e paautorizuara me rrugët lokale).

Sistemi i sinjalizimit, i dëmtuar gjatë periudhave të trazirave në vitet 1991 dhe 1997, pothuajse nuk ekziston. Shërbimet e transportit të mallrave lënë për të dëshiruar, me kohë udhëtimi të gjata dhe kërkesë të ulët, dhe jo të planifikuar.

Komunikimi i stacioneve realizohet nëpërmjet radios. Si rezultat, nuk ka një sistem të kontrolluar sigurie për lëvizjen e trenave, e për pasojë rreziku i aksidenteve është i lartë. Ndërsa gjeometria e shtrirjes horizontale të hekurudhës është mjaft e mirë”, – do të nënvizohej në planin e ndërveprimit social-mjedisor mbështetur nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor./Monitor

Artikulli paraprakNATA E TRETË E TRAZIRAVE NË PARIS, POLICI QË VRAU 17-VJEÇARIN KËRKON FALJE, MACRON THËRRET MBLEDHJE EMERGJENTE QEVERIE
Artikulli tjetërSHQIPËRIA NDËR MË TE SHTRENJTAT NË EUROPË PËR PAJISJET ELEKTROSHTËPIAKE