Dy net pas shpëtimit të dy turistëve zviceranë në Malin e Korabit në Dibër, ka reaguar Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, duke theksuar se në terren hyri edhe një helikopter i KFOR-it amerikan që vepron në Kosovë. Në njoftim jepen detaje se si gjatë ngjitjes me ski në këtë faqe malore, çifti aktivizuan një ortek ,ku janë shtyer rreth 350 m në drejtim të lugut të malit që shpien në drejtim të fshatit Çajë.
“Fatmirësisht nuk kanë qenë të mbuluar tërësisht ,por në pamundësi të daljes nga dëbora, vajza ka patur mundësi ti lëviz duart dhe ta bëj një thirrje”, thuhet në njoftim.
Gjithsesi, bëhet e ditur se operacioni ka zgjatur deri në orët e vona të datës 22.01.2024 duke u pëmbyllur me sukses.
“Gjendja e të aksidentuarve është stabile, falë reagimit të shpejtë e efikas”.
Reagimi:
Në orët e vona të datës 21.01.2024 kemi pranuar thirrje urgjence nga banorët e zonës së Kalasë së Dodës për një aksident malor që ju kishte ndodhur disa turistëve Zvicëran. Me të pranuar lajmin ka filluar mobilizimi i skuadrës së ShKShMK-së, dhe pas disa shkëmbimeve të mesazheve kemi arritur ta kontaktojmë njërin nga të aksidentuarit, fatmirësisht ka pasur sinjal telefoni dhe ka arritur të na dërgoj kordintat e vendodhjes së tyre. Për shkak te barierave gjuhësore dhe gjendjes jo te qëndrueshme psiko-fizike të aksidentuarës, informatat ishin që kishim të bëjmë me të paktën dy të lënduar dhe së paku dy persona të zhdukur nën ortek. Me të kuptuar seriozitetin e situatës i gjithë organizimi dhe operacioni është zhvilluar në një kohë të shpejtë. Me një kordinimin me autoritet e shtetit Shqiptar kemi lëvizur deri te pika e takimit , dhe nga ku është realizuar afrimi deri te të aksidentuarit. Shpëtuesit është dashur të lëvizin në këmbë pasi që në Shqipëri akoma helikopterët nuk mund të navigojnë gjatë natës, duke u ngjitur për 4 orë me të githa paisjet për kërkim të shkallës së gjërë në operacionet me ortek, bashkë me shpëtuesit nga pika e takimit u nisen dhe një togë e Policise Alpine e cila ndihmoj në bartjen e disa paisjeve. Pasi kanë marrë urdhërin se evakuimi do të bëhej nga ajri janë kthyer prapa. Dy shpëtues specialist të shpëtimit dhe paramedik janë nisur në drejtim të vendaksidentit me një motosajë, dhe pajisje të nevojshme për reagim dhe dhënie të ndihmës së parë, pasi që mbijetesa në këto kushte është tepër e limituar.
Me të mbërritur në vendaksident saktësisht në kordinatat e dërguara ju është dhënë ndihma e parë dhe është bërë vlerësimi i përgjithsëm i gjendjes së tyre, aty kuptohet edhe që nuk kemi të bëjme me të zhdukur të tjerë apo të lënduar sepse ishin vetëm çifti i cili skijonte i vetëm dhe jo të shoqëruar me ndonjë udhëheqës malor apo grup. Të aksidentuarit kanë pasur lëndime të ndryshme dhe kanë qenë në hipotermi, pasi që kanë qëndruar për një kohë të gjatë brenda borës dhe moti ka qenë me temperatura tepër të ulëta. Çifti ski-bjeshkatar Zvicëran F.S dhe J.B ishin duke realizuar një aktivitet ski-bjeshktar në zonën malore në mes të fshatit Çajë dhe Radomirë, në drejtimin gjeografik veri-lindje nga maja e Corokolit. Gjatë ngjitjes me ski në këtë faqe malore e kanë aktivizuar një ortek, ku janë shtyer rreth 350 m në drejtim të lugut të malit që shpien në drejtim të fshatit Çajë. ShKShMK kishte paralajmëruar me një postim për kujdes të shtuar për rrezik nga orteku vetëm një ditë para se të ndodhte ky aksident !
Autoritetet Shqiptare pas agimit të diellit kanë dërguar një helikopter për ndihmë dhe evakuim, por në pamundësi të aterimit për shkak të konfiguracionit të terrenit është dashur të bëhet një plan B. Plani ishte realizimi i evakuimit nga ajri me Helikopter i pajisur me sistemin e vinçit. Si mundësi e vetme ka qenë kërkimi i ndihmës nga ekipi i medevac nga KFORI Amerikan. Duke kaluar mbi gjitha barrierat byrokratike me të marrë urdhërin helikopteri medevac i KFOR-it Amerikan nuk vonoi dhe mbërriti në koordintat të cilat i kishim dërguar. Evakuimi është kryer shumë shpejtë duke i dërguar të aksidentuarit në Spitalin e Tiranës, dhe është kthyer përsëri për tërheqjen e dy shpëtuesve ndërsa gjashtë shpëtues me të gjitha paisjet dhe gjërat personale të aksidentuarve u kthyen në këmbë nga vendngjarja deri tek pikënisja. Operacioni ka zgjatur deri në orët e vona të datës 22.01.2024 duke u pëmbyllur me sukses. Gjendja e të aksidentuarve është stabile, falë reagimit të shpejtë e efikas, dhe ju dëshirojmë rikoperim të shpejtë.
I falënderojmë:
Autoritet Shqiptare për bashkpunim dhe mbështetjen, KFOR pa të cilët ky evakuim nuk do të kishte sukses, banorët lokal dhe të gjithë kontribuesit të tjerë. Një falenderim i posaqën shkon pë Ridvan Tahiri nga grupi Vullnetarët i cili na ka mbështetur dhe kordinuar me kontakte të ndryshme.