Drejtori i spitalit të Peshkopisë, Artan Bitri ka folur rreth helmimit të nxënësve në shkollën e Shupenzës.Sipas tij, në spital kanë shkuar tre vajza, njëra prej të cilave në gjendje të rëndë.
“Vajza në gjendje më të rëndë u nis për në Tiranë. Shkaqet e helmimit nuk i zbardhim ne”, është shprehur Bitri.
Për ngjarjen kanë folur edhe prindërit.
“Fëmijët kanë ndjerë erë të keqe kur janë kthyer në klasë pas pushimit të gjatë. Një mësuese i ka mbajtur në klasë ndërsa ndihej era e keqe”, ka thënë një prej prindërve.
Përdorimi në klasë i një aromatizuesi dyshohet se është shkaku helmimit të rreth 14 nxënësve të shkollës së mesme të Shupenzës.
Ndërkohë Policia e Dibrës thotë se sprajt me aromë, i cili nuk specifikohet ende, është hedhur në klasë nga një prej nxënësve.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 9 nxënësit që janë helmuar pas hedhjes së lëndës së gaztë në një klasë për të pamundësuar mësimin janë duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. 6 prej tyre janë dërguar në Spitalin e Bulqizës, dy të tjerë në Spitalin e Dibrës, ndërsa një vajzë është sjellë me helikopter në QSUT.