Në Gjykatën e Faktit në Përmet prej orës 12:00 po zhvillohet me dyer të mbyllura seanca për Henri Çilin, botuesin dhe pronarin e UET-së dhe 30 të arrestuarit për operacionin “Mezhgorani”.

Seanca për masën e sigurisë drejtohet nga gjyqtari Dritan Hasani, i cili në nisje tha se ka qenë shokë klase në fakultet me Betim Shkupin, administrator i “European Education Initiative Holding”, që kontrollon 100% aksionet e Universitetit Europian të Tiranës, ku Çili është pronar.

Por në 30 minutat pushim që u morën pas kësaj deklarate, u vlerësua që të përzgjidhet një gjyqtar tjetër vetëm për të dhënë masën ndaj Betim Shkupit, për të shmangur konfliktin e interesit.

Ndërkohë, ditën e djeshme, me kërkesë të prokurorit Asllan Bajrami, u përjashtua gjyqtarja që ishte caktuar për çështjen, Yrvete Shkreli. Shqiptarja.com mëson se shkak është bërë refuzimi që gjyqtarja i kishte bërë kërkesës së prokurorit për lëshimin e urdhër arresteve ndaj të dyshuarve në këtë dosje.

Gjyqtarja Yrvete Shkreli kishte autorizuar kontrollet në banesa dhe në ambientet që i shërbejnë hetimit, por ka refuzuar urdhër-arrestet, të cilat u zbatuan nga policia vetëm me kërkesë të prokurorisë.

Me pranga në duar, Henri Çili u shfaq teksa zbriti nga furgoni i policisë për t’u futur në Gjykatën e Faktit të Përmetit.

Henri Çili akuzohet se ka ndikuar tek një gjykatës për dy të dënuar me burgim të përjetshëm, Arbjon Aliko dhe Feti Yzeiraj në mënyrë që çështjet e tyre në Gjykatën e Lartë të merreshin në shqyrtim sa më shpejtë.

Prokuroria ka përgjuar një takim të Çilit me një drejtues të një organi të lartë të drejtësisë, ku ka marrë garanci prej tij se këto 2 çështje do të shqyrtohen në 50 të parat në stokun e 35 mijë çështjeve që presin gjykim. Por emri i zyrtarit të drejtësisë çuditësisht nuk bëhet i ditur në dosjen e prokurorisë që ka ngritur akuzat ndaj Çilit, dhe pritet të mësohet sot në seancë plenare.

Bashkë me Çilin në pranga kanë rënë edhe bashkëpunëtorë të tij të UET-së, juristi dhe pedagogu Ilir Kobi, administratori Betim Shkupi dhe biznesmeni Sait Fishta nga Shkodra, shok i Adil Alikos, babait të Arbjon Alikos dënuar për vrasjen e policit në 2015 në Lazarat, që dyshohet se i ka kaluar në pronësi me kontratë dhurimi Çilit dy apartamente në Velipojë.

Rasti tjetër kur Henri Çili dyshohet se ka marrë përsipër të lobojë tek autoritetet e drejtësisë është edhe Feti Yzeiraj, dënuar përjetë për vrasjen e Shefo Durajt, në shenjë hakmarrje pasi babai i tij, Llane Duraj i kishte vrarë gjyshin në ’68-ën.

Të dy këta të dënuar me vendim të formës së prerë në Gjykatën e Apelit, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe relator kanë Ardian Dvoranin, si të vetmin gjyqtar të mbetur, e që aktualisht është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Operacioni i nisur në shtator të vitit të kaluar për “Falsifikim të kartëmonedhave” çoi në pranga shumë persona për disa akuza, por mbi të gjitha zbuloi tentativën e Henri Çilit për të ndikuar te Gjykata e Lartë.

Biznesmeni i njohur shkodran Sait Fishta që u arrestua në kuadër të operacionit që çoi në pranga edhe Henri Çilin nuk ka dalë sot para gjykatës së Përmetit, pasi është shtruar në spital në Tiranë për arsye shëndetësore. Fishtës do i komunikohet masa e sigurisë nesër në spital në Tiranë, ku u shtrua pas arrestimit.

Artikulli paraprakMAKINA PËRPLASET ME AUTOBUSIN, VDES SHOFERI 6 TË PLAGOSUR RËNDË
Artikulli tjetërMETA PROTESTË NË BULEVARD, DEPUTETËT DISKUTOJNË PËR HALLET E POPULLIT NË KUVEND