Atleti dhe rekordmeni shqiptar, Izmir Smajlaj është shpallur i pafajshëm për manipulimin e një rezultati që e mbajti jashtë garave për shumë muaj. Gjykata Sportive Botërore nuk ka gjetur asnjë faj te atleti shkodran, duke e shpallur të pafajshëm dhe duke i dhënë të drejtën të rikthehet në pistë.

Për manipulimin e rezultatit është shpallur fajtor presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, që është dënuar me 5 vjet pezullim, si dhe Sekretari i Federatës, Nikolin Dionisi, me 4 vjet.

Pas vendimit, vetë Izmir Smajlaj ka pasur sot një reagim në kanalet e komunikimit.

“I drejti nuk mposhtet kurrë! I pafajshëm! Falë një beteje të gjatë ligjore me AIU, Sport Resolution ( ose Gjykata Sportive Botërore ) me seli në Londër, ka shpallur PAFAJESINË time kundrejt aludimeve për mashtrim ndaj një gare ku isha pjesëmarrës. Isha i bindur që gjyqtarët e huaj do të vlerësonin të vërtetën dhe do kuptonin që çdo gjë që ishte hetuar ishte e gabuar dhe pa fakte ndaj meje, andaj jam tejet i lumtur dhe me anë të këtij postimi ju komunikoj edhe rikthimin tim në pistë”, shkruan fillimisht Smajlaj.

Më pas shkodrani që ka fituar disa medalje për Shqipërinë ka falenderuar edhe ata që i kanë besuar që në ditën e parë.

“Faleminderime e mirënjohje për ata që besuan tek unë që në fillim, për punën e përkryer të avokatëve mbrojtës z. Ermir Beta dhe znj. Romina Zano, përkthyeses zyrtare znj. Etleva Pushi, si dhe familjes sime që duroi e përjetoi një stres të panevojshëm”, thotë Smajlaj në reagim.

Artikulli paraprakHILA MERR MBËSHTETJEN E BANORËVE NË BUSHAT
Artikulli tjetërBENET BECI INTERVISTË NË A2CNN, PREZANTON PROGRAMIN PËR SHKODRËN