Vendimi i Qeverisë për të shfuqizuar tarifën për lëndët e mbartura, ka dhënë efektet e para te protesta e studentëve. Dy anëtarë të Këshillit Studentor, Shkodër kanë njoftuar tërheqjen nga protesta.

Përmes një letre ku bëhet me dije tërheqja e Këshillit Studentor të Universitetit Luigj Gurakuqi, kryetari dhe sekretarja e Këshillit Studentor, Hysmir Idrizi dhe Albana Bushati kanë falenderuar studentët për pjesëmarrjen e tyre në protestë si dhe i kanë inkurajuar ato që të vijojnë procesin mësimor në mënyrë të rregullt.

Studentët e Tiranës, Elbasanit, Korçës, Durrësit, Vlorës dhe Shkodrës kanë protestuar paraditen e sotme përkundrejt MAS për: tarifat për lëndët e mbartura, tarifën e arsimimit, kushtet e konvikteve dhe mënyrën sesi duhet të organizohet Bordi i Administrimit.

Protesta u shoqërua nga momente të tensionuara, sic ishte goditja e Ministrisë së Arsimit me bidona, vezë, stilolapsa dhe letra higjienike.

Ndonëse protesta solli nënshkrimin e qeverisë për shfuqizimin e pikës 4 të VKM-së, për heqjen e tarifave ndaj provimeve për lëndët e mbartura, studentët kanë paralajmëruar sërish për protestë.

Vendimi i tyre nuk është tërhequr edhe pas deklaratës të ministres së Arsimit Lindita Nikolla, ku pohoi se do të krijohej një grup pune me përfaqësues të universiteteve, studentëve dhe ministrisë për të shqyrtuar tre pikat e tjera për të cilat ato ndjejnë pakënaqësi.

Artikulli paraprakBIE NGA KATI I TRETË, NDËRRON JETË 60-VJEÇARI
Artikulli tjetërPROTESTA, BERISHA PUBLIKON MESAZHIN: SI PO KËRCËNOHEN STUDENTËT