Janë vënë nën hetim 10 organizatorët e protestës së zhvilluar ditën e djeshme te Sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë, kundër vaksinimit të detyrueshëm. Sipas policisë organizatorët zhvilluan një protestë të paligjshme gjatë të cilës kanë bërë thirrje publike për veprime të dhunshme si dhe kanë penguar lëvizjen e mjeteve të transportit. Në njoftimin e policisë thuhet se: “Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” shtetasit: A. G., 51 vjeç, A. B., 21 vjeç, K. O., 43 vjeç, A. Dh., 34 vjeç, K. G., 26 vjeç, E. D., 27 vjeç, A. P., 42 vjeç, I. K., 42 vjeç, B. B., 37 vjeç dhe K. K., 42 vjeç. Shtetasit e sipërpërmendur në një protestë të paligjshme të zhvilluar tek sheshi “Nënë Tereza” dhe më pas janë zhvendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë bërë thirrje publike për veprime të dhunshme si dhe kanë penguar lëvizjen e mjeteve të transportit”, thotë policia. Gjatë protestës së djeshme protestuesit argumentuan se vaksinimi me detyrim është shkelje e të drejtës së njeriut. Deri më tani në vendin tonë është bërë me detyrim vaksinimi për mjekët, arsimtarët dhe studentët me qëllim mbarëvajten e procesit në shkolla dhe universitete. Ministria e Shëndetësisë ka publikuar urdhrin zyrtar të vaksinës me detyrim nga studentët dhe arsimtarët duke thënë se arsimtarët duhet të fillojnë të paraqesin certifikatën e vaksinimit që hyn në fuqi ditën e hënë. Kush nuk e paraqet këtë certifikatë të vaksinimit, duket të paraqes një test negativ PCR çdo javë. Gjithashtu studentë e pavaksinuar duke filluar që nga 11 tetorit do të përdorin platforma alternative që është mësimi online. Në Shkodër pjesa më e madhe e mësuesve rreth 95% janë të vaksinuar ndërsa vetëm 5% e tyre për arsye shëndetësore pritet që të mos vaksinohen ndërsa duhet të paraqesin dokumentat përkatës për të vërtetuar një gjë të tillë. Sa i përket pedagogëve ende ka prej atyre që nuk janë vaksinuar por pritet që të vaksinohen deri në nisjen e universiteteve.