BE CAKTON EKSPERTË TË PAVARUR.Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogherini tha të martën në Bruksel se do të emërojë një ekspert të pavarur ligjor për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të misionit për sundimin e ligjit në Kosovë posaçërisht për të shqyrtuar dyshimet për korrupsion në radhët e këtij misioni.
Zyrtarët e EULEX-it thanë javën e kaluar se janë duke hetuar dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale, përfshirë një rast të vrasjes së trefishtë. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces i hetimeve administrative.Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, ka kërkuar që çështja të hetohet me transparencë të plotë dhe në mënyrën që do të ruajë besueshmërinë e misionit.Anëtari i komitetit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. Eduard Kukan, ka thënë se “dëmi është bërë me akuzat dhe është vënë në pikëpyetje besueshmëria e misionit”. Prandaj, ai ka theksuar se “akuzat për korrupsion dhe rezultatet e gjithëmbarshme të misionit duhet të jenë përparësi numër një. Duhet të vërtetohet qartazi se kush është përgjegjës dhe hetimet brenda misionit duhet të jenë të rrepta”.Zyrtarë të EULEX-it besojnë se megjithatë, zhvillimet e fundit nuk do të dëmtojnë imazhin e as besimin e këtij misioni i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.