Ngushtohet më tej laku për njerëzit e korrupsionit dhe krimit. Prokuroria e Përgjithshme ‘merr në dorë’ regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, në kuadër të planit për evidentimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.
Lëvizja reflektohet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë për monitorimin e zbatimit të strategjisë kundër korrupsionit gjatë tremujorit të parë të vitit 2019. Në raport thuhet se organi i akuzës tashmë do të ketë akses në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, ndërsa policia ka siguruar aksesin në bazat e të dhënave dhe në regjistrat elektronike shtetërore të disa institucioneve publike.
“Hetimi dhe ndëshkimi i një krimi të zakonshëm zakonisht përfshin trion polici, prokurori dhe gjyqësor, hetimi i suksesshëm i krimit ekonomik përfshin një gamë më të gjerë aktorësh si ILDKPKI, KLSH, DPPPP, subjekte private si bankat, firmat e ndërtimit, agjencitë e pasurive të patundshme, agjencitë e udhëtimit etj, etj.
Bashkëpunimi i frytshëm midis organeve të hetimit dhe gjithë këtyre subjekteve është një parakusht për suksesin e luftës penale kundër korrupsionit. Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme “Për dhënien e të drejtës së aksesit prokurorisë në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme”.
Ndërlidhja ka përfunduar dhe po shtohen përdoruesit. Policia e Shtetit ka siguruar aksesin në bazat e të dhënave dhe në regjistrat elektronike shtetërore të disa institucioneve si: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, DPSHTRR, ZQRPP, QKB, Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, thuhet në raport.
Policia 57 informacione për lëvizjen e parave
Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, Policia e Shtetit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, ka marrë 57 informacione për lëvizjen e parave të pista brenda dhe jashtë vendit. “Përmirësimi i bashkëpunimit gjyqësor dhe policor ndërkombëtar në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.
Të ardhurat nga krimi ekonomik dhe financiar shpesh depozitohen ose investohen jashtë vendit. Policia e Shtetit ka marrëveshje bashkëpunimi me Interpol dhe Europol si dhe me struktura homologe të vendeve të tjera, për të luftuar këto krime.
Bazuar në këto marrëveshje strukturat ligjzbatuese nëpërmjet policisë së shtetit shkëmbejnë informacion në mënyrë të vazhdueshme. Në zbatim të këtij objektivi, gjatë tremujorit të parë, Ministria e Brendshme ka realizuar informacione të shkëmbyera me agjencitë homologe, në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare dhe korrupsionit si më poshtë: 42 Informacione, me Interpolin.
12 Informacione, me Evropolin. 3 Informacione me rrjetin e zyrave për gjetjen e rikuperimin e aseteve kriminale CARIN. 68 raste shkëmbimi Informacione me Agjenci të tjera ligjzbatuese”, thuhet në raport.
Sinjalizuesit e korrupsionit
Ligji për sinjalizuesit e korrupsionit në administratë ka nisur të janë rezultate. Gjatë tremujorit të parë të 2019, ‘spiunët’ në administratë dhe jashtë saj kanë sinjalizuar policinë për 78 raste korrupsioni, të cilat janë referuar në Prokurori.
“Përmirësimi i trajtimit të denoncimeve ndaj korrupsionit, ka për synim bashkëpunimin e punonjësve të brendshëm (bilbilfryrësve) të institucioneve publike dhe/ose private me agjencitë ligjzbatuese, si edhe të publikut, për hetimin e suksesshëm të veprave të korrupsionit.
Për periudhën 3-mujore, është rritur numri i institucioneve të cilat kanë ngritur grupe apo struktura për trajtimin e ankesave të qytetarëve. Gjatë periudhës janar – mars 2019, numri i hetimeve të korrupsionit të gjeneruara nga denoncimet e qytetarëve në Policinë e Shtetit është 78 raste, për të cilat janë kryer veprimet policore dhe hetimore dhe janë referuar në Prokurori”, thuhet në raport.
Prirjet e korrupsionit
Sipas raportit, “korrupsioni si fenomen priret të jetë dinamik në kuptimin që ai shfaqet një herë në një sektor dhe një herë në një sektor tjetër në varësi të pranisë të kushteve të tilla favorizuese si mungesa e transparencës, mungesa e një mekanizmi për të dëgjuar zërin e subjekteve të interesuara, mungesa e procedurave të qarta administrative dhe procedurave të ankimit etj.
Në këto kushte edhe përgjigja ndaj korrupsionit duhet të jetë dinamike. Ky dinamizëm sigurohet nëpërmjet analizimit sistematik të prirjeve të korrupsionit, analizimit sistematik të efektivitetit të masave anti – korrupsion, analizimit të statistikave të konsoliduara të qeverisë por edhe të organeve ligjzbatuese lidhur me korrupsionin. Për përmbushjen e këtij objektivi, Ministria e Drejtësisë ka vijuar me mbledhjen, përpunimin dhe harmonizimin e statisitikave të konsoliduara mbi korrupsionin”.
Prokuroria
Prokuroria e Përgjithshme ‘merr në dorë’ regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, në kuadër të planit për evidentimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.
Policia
Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, Policia e Shtetit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, ka marrë 57 informacione për lëvizjen e parave të pista brenda dhe jashtë vendit.