Disa vatra zjarri vijuan të jenë aktive edhe gjatë ditës së hënë në fabrikën e riciklimit të mbetjeve në zonën e Kasharit.
Ndërkohë që hetimet ende nuk kanë përcaktuar shkakun që shkrumbroi fabrikën, tymra të rrezikshëm vijojnë të çlirohen në mjedis duke u kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve të zonës.
Një nga aksionerët e Everest, fabrikes që u dogj të dielë, Vullnet Haka tha se po pret rezultatin e hetimeve.
Përfaqësuesit e kompanisë, tymi i së cilës dje ndoti gjithë Tiranën pretendojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga luhatjet e tensionit të energjisë elektrike.
Një ditë më parë përgjegjësit e zjarrfikësve treguan se Everest kishte një histori të gjatë me shkeljen e rregullave të sigurisë ndaj zjarreve.
Kompania ishte gjobitur disa herë, ndërsa edhe më parë kishte patur probleme me zjarret dhe kjo nuk mjaftoi për të rritur masat e sigurisë. As sistemi antizjarr nuk funksionoi.
Të hënën, përveç ekspertëve, në gërmadhen e fabrikës së riciklimit u paraqitën edhe disa punonjës, këtë herë jo për të punuar si çdo ditë, por për të kërkuar paratë e tyre.
Disa prej punonjësve thanë jashtë kamerave se kanë disa muaj pa marrë rrogat, e si të mos mjaftonte kjo tani ata kanë mbetur edhe pa punë.
Ndërkohë, mësohet se fabrika e riciklimit rezulton të jetë e siguruar pranë kompanive të sigurimit. Flakët e saj të dielën kërcënuan edhe bizneset pranë, por zjarrfikësit mundën të mbajnë larg zjarrin.
Burime policore thanë se nuk përjashtohet as pista e zjarrvënies së qëllimshme, megjithatë zbardhja e saj është tejet e vështirë për shkak të shkatërrimit të çdo prove.