Prokuroria e Tiranës shtyn edhe tre muaj të tjerë afatet hetimore për Imsi Catcher, një çështje kjo që qëndron e hapur prej dy vitesh nga njësia Task Force për veprën e shpërdorimit të detyrës. Shkak për zgjatje të kohës hetimore është bërë heshtja e palës italiane që nuk ka kthyer ende një përgjigje nëse do ta pranojë apo jo ekspertizën në pajisje.

Për këtë arsye sipas burimeve, prokurorët kanë përsëritur me leterporosi kërkesën për të ekspertuar Imsi Catcher në mënyrë që të zbardhin dyshimet e tyre a u përdor apo jo kjo aparaturë për të kryer përgjime të paligjshme në Shqipëri apo ajo u përdor vetëm për trajnimin e policisë. Siç thonë burimet, fillimisht prokurorët kanë marë në maj 2017 në të cilën italianët konfirmuan se pajisja Imsi Catcher ndodhet në Tiranë në ambientet e ambasadës italiane. Pas dates 23 maj 2017 pala italiane ka heshtur. Por përderisa territori i ambasades konsiderohet tokë italiane prokurorët nuk mund të sekuestrojnë dhe as të ekspertojnë pajisjen pa dëshirën e italianëve. Prej kësaj kohe prokuroria shqiptare ka përcjellë dy kërkesa referuar të drejtës ndërkombëtare, ku kërkohet që prokurorët të jenë të pranishëm se bashku me një specialist shqiptar për të kryer ekspertizën . Kqyrja e Imsi Catcher kërkohet pasi në verë prokuroria humbi në gjykatë me lëvizjet e saj për të kqyrur disa kompjuterë të sekuestruar në Policinë e Shtetit, pasi sipas argumentit të gjykatës prokurorët nuk ishin bindës se për çfarë u shërbente ky veprim hetimor. Gjatë 2016 çështja Imsi Catcher ishte patatja e nxehtë në arenën e politikës që u finalizua me ngritjen e një komisioni hetimor.

Nga ana e gjykatës pati një pezullim të përkohshëm nga detyra të ish drejtorit të përgjithshem Haki Çako dhe dy masa arresti shtepiak, vendime këto që u shfuqizuan nga gjykata e Apelit. Por italianët dhe shumë oficerë policie të pyetur në Prokurori këmbëngulin se pajisja është përdorur për trajnim, ndërkohë që prokuroria hedh dyshime se në fakt ajo është përdorur gjatë fundjavave edhe në burgje. Shpresa e fundit për këtë hetim ka mbetur ekspertiza për të cilën Prokuroria ka kohë deri në maj, pas këtij muaji asaj i mbaron koha dhe nëse nuk ndodh asgjë atëherë çështja pezullohet.

Artikulli paraprakPROTESTA PËR DËMSHPËRBLIMET, GJONAJ: GRUP PUNË PËR ZGJIDHJE
Artikulli tjetërSTRASBURGU DËNON SHQIPËRINË: TË PAGUAJË 14 MLN EURO PËR PALLATIN E VLORËS