Agjencia e Kadastrës në Shkodër pas një kohe të gjatë pa një drejtues tashmë do të ketë drejtorin e ri i cili është zyrtarizuar. Kështu Deart Qori do të jetë emri që do të drejtojë hipotekën e Shkodrës në vazhdimësi. Kreu i ri i hipotekës në Shkodër është emër nga drejtorja e përgjithshme e Agjencisë së Kadastrës Dallëndyshe Bici. Në fakt hipoteka në Shkodër kishte që prej 30 qershorit pa një drejtues duke sjellë shumë probleme dhe duke e bllokuar plotësisht këtë institucion. Asnjë procedurë nuk po realizohej duke lënë peng me qindra qytetar që kanë aplikuar online çdo ditë duke nisur që nga kartelat e pronësisë dhe deri tek kontratat e shit-blerjes së pronave. E njëjta histori edhe për qindra biznese të cilët mbetën të bllokuar për një kohë të gjatë për shkak se hipoteka e Shkodrës nuk po funksiononte.

Ky institucionet ka pësuar ndërrime të shpeshta drejtorësh dhe shpresojmë që ky të mos jetë eksperimenti i radhës në hipotekën e Shkodrës. Pavarësisht ardhjes së drejtorit të ri aplikimet për legalizime vijojnë që të jenë të bllokuara. Edhe nëse një aplikim për legalizim realizohet në hipotekën e Shkodrës, nuk futet në procedurë nga drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Kadastrës duke lënë sërish të bllokuar qytetarë të shumtë dhe bizneset. Po ashtu hipoteka e Shkodrës nuk zbaton ligjet në fuqi si dhe vendimet e gjykata për pronat. Star Plus do të bëjë publike se si vendimet e Gjykatës së Lartë nuk zbatohen nga Agjencia e Kadastrës në Shkodër duke sjellë kështu një dëm të madh për të gjithë ata pronarë që gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe duan të zhvillojnë pronat e tyre.

Po ashtu nuk dalin në afate certifikatat e pronësisë si dhe shumë procedura të tjera janë të bllokuara. Këto problematika nuk janë aspak normale dhe duhet që të marrin një zgjidhje përfundimtare qoftë nga hipoteka e Shkodrës por edhe nga drejtoria e përgjithshme e drejtuar nga Dallëndyshe Bici. Tashmë me ardhjen e drejtorit të ri Deart Qori në krye të Agjencisë së Kadastrës në Shkodër sipas burimeve drejtori Qori tashmë ka edhe të drejtë firme dhe duhet që të ketë një ritëm të lartë pune për t’i dhënë zgjidhje këtyre shqetësime që vijojnë prej kohësh.

Aktualisht fluksi i kërkesave online në hipotekën e Shkodrës është i madh për shkak të ardhjes së emigrantëve dhe shit-blerjeve të pronave nga ana e tyre. Ankesat e qytetarëve që nga 30 qershori kur hipoteka e Shkodrës mbeti pa një drejtues dhe deri më tani kanë qenë të shumta duke qenë se nuk po arrinin të merrnin një zgjidhje dhe të pajiseshin brenda afateve ligjore me dokumentet përkatëse të pronësisë, situatë e cila nuk po merr fund. Star Plus i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë pranë televizionit tonë çdo rast problematik që lidhet me hipotekën e Shkodrës.

Artikulli paraprakAKADEMIA VLLAZNIA 4 MUAJ PA RROGA
Artikulli tjetërUKQ NDËRHYN NË UJËSJELLËSIN E PUKËS