Ndryshojnë rregullat për regjistrimin në regjistrin e kadastrës së pasurive të paluajtshme të shitura nëpërmjet kontratave të pasurisë. Për pronat e shitura me kontrata porosie do të refuzohet regjistrimi në kadastër nëse pas verifikimeve ka ndryshime planimetrie të njësitë individuale. Refuzim të regjistrimit të pasurive me kontratë porosie do të ketë edhe nëse kërkuesi brenda afatit prej 30 ditësh nuk arrin të korrigjojë të dhënat që kanë mangësi apo pasaktësi. Rregullat e reja për regjistrimin e kontratave noteriale të shitjes së pronave nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes apo porosisë hynë në fuqi pas publikimit të udhëzimit “Për miratimin e modelit dhe përcaktimin e rregullave të mbajtjes së regjistrit të lejes së ndërtimit, si dhe të procedurave të regjistrimit të kontratës së sipërmarrjes/ porosisë dhe të premtimshitjes” në Fletoren Zyrtare.

Në dispozitën kalimtare të udhëzimit përcaktohet se verifikimi i të dhënave për njësitë individuale të shitura me kontratë porosie para hyrjes në fuqi të tij do të behet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Në rast mospërmbushje të tyre regjistrimi në kadastër do të refuzohet. “Kur në regjistrin kadastral, në kartelën e pasurisë “truall”, rezultojnë të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi akte noteriale ndërmjet pronarit të truallit dhe zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, në të cilët nuk është individualizuar pasuria që do të përfitojë pronari i truallit, ASHK-ja në momentin e paraqitjes për regjistrim në regjistrin e lejes të kontratave të sipërmarrjes/porosisë apo premtimshitjes ndërmjet investitorit me pronarin e truallit apo me të tretë, verifikon nëse të dhënat mbi njësitë në këto akte janë të individualizuara sipas planimetrive, që i bashkëlidhen lejes së ndërtimit.

Në rast mos përmbushjeje të këtij detyrimi, regjistrimi i tyre refuzohet”, citohet në udhëzim. Po ashtu udhëzimi përcakton se gjatë shqyrtimit të kërkesave për regjistrimin e akteve noteriale të lidhura me kontrata porosie kanë të meta në të dhëna, kërkuesve do t’u lihen 30 ditë kohë për plotësimin e tyre. Por nëse pas kalimit të afatit këto të meta nuk plotësohen, nga ASHK-ja refuzohet regjistrimi i aktit, sipas parashikimeve të ligjit.

Artikulli paraprakSITUATA E ZJARREVE NË VEND, MINISTRIA E MBROJTJES: 21 VATRA NË 24 ORËT E FUNDIT, 18 U SHUAN
Artikulli tjetërUEFA DY VITE DËNIM PËR TIFOZËT E VLLAZNISË NË TRANSFERTË