Zbardhet plani i qeverisë: Ja si do hiqen nga qarkullimi makinat e para vitit 2005

Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Transportit së shpejti do t’i dërgojnë për miratim qeverisë ligjin për plotësimin e standardit “euro” për të gjitha makinat që janë në qarkullim dhe ato që importohen. Detajet e projektvendimit i dha ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në emisionin “Natë me Xhaxhiun” të “News 24”. Ministri pohoi se nisma ka si qëllim pastrimin e ajrit që shkaktohet nga ndotja e makinave , duke ndërhyrë në mjetet e vjetra që janë në qarkullim dhe ato që do të importohen. Kreu i Ministrisë së Mjedisit konfirmoi se nisma parashikon që të gjitha makinat që qarkullojnë në vend duhet të plotësojnë standardin euro 3, ose euro 4. Kusht për lejimin e makinave të vjetra në qarkullim do të jetë instalimi i katalizatorëve që mjeti të përshtatet me standardin euro që kërkohet. Për makinat e importit, nisma parashikon lejimin e tyre për dy kategori. Makinat aktuale parashikojmë të kapin standardin euro 3, ose euro 4 (ende nuk është konkluduar), dhe do të detyrohen që makinat e reja, të cilat do të hyjnë në Shqipëri si import, të jenë në standardin euro 5 të reja dhe euro 4 të përdorurat. Sipas ministrit të Mjedisit, për makinat që bëjnë pjesë në kategoritë euro 1, euro 2 dhe euro 3, marrja e masave do të jetë përshkallëzuese. Këto makina nuk do të dalin menjëherë nga qarkullimi nëse qytetarët do të instalojnë katalizatorët që ndikojnë në uljen e nivelit të ndotjes. Për këta qytetare do te ketë afate te cilat nuk janë përcaktuar ende. Nëse një qytetar disponon një makinë, qoftë me benzine apo me naftë, e prodhuar në vitin 2003, e cila kategorizohet në standardin euro 3, duhet me patjetër të instalojë katalizatorët, në mënyrë që makina e tij të përshtatet me standardin euro 4 që kërkohet. Në rast të kundërt, makina e tij nuk do të kalojë testin e shkarkimit të gazrave gjatë kolaudimit dhe makina e tij nuk do të lejohet të qarkullojë. Ministria e Mjedisit edhe ajo e Transportit është ende duke diskutuar afatet se sa kohë do t’i lihet një qytetari të përshtatë makinën nëpërmjet instalimit të katalizatorëve.

Artikulli paraprakZVICRA VOTON LIGJIN PËR EMIGRANTËT, FRIKË PËR PRISHJEN E MARRËDHËNIEVE ME BE
Artikulli tjetërGRABITJE ME ARMË NË NJË INTERNET-KAFE