Kur trupat ruse pushtuan Ukrainën dhe filluan të qëndronin në Kiev, Andrii Dereko iu lut thjeshtrës së tij 22-vjeçare Karina Yershova të largohej nga periferia ku ajo jetonte.

Por Yershova këmbënguli se donte të qëndronte në Bucha, duke i thënë: Mos fol marrëzira, gjithçka do të jetë mirë, nuk do të ketë luftë.

Yershova, me flokët e saj të gjata dhe me disa tatuazhe që e personifikonin, punonte në një restorant sushi në Bucha dhe shpresonte të diplomohej në të ardhmen.

Ndërsa ushtarët rusë rrethuan Buchan në fillim të marsit, Yershova u fsheh në një apartament me dy miq të tjerë. Në një nga rastet e fundit që Dereko dhe gruaja e tij, Olena, folën me Yershova, ajo u tha atyre se ishte larguar nga banesa për të marrë ushqim në një supermarket aty pranë.

“Ne nuk menduam se rusët do të arrinin në një pikë të tillë që të qëllonin civilët. Ne të gjithë shpresonim që të paktën të mos preknin gratë dhe fëmijët, por ndodhi e kundërta”, tha ai.

Kur kaluan javë pa asnjë fjalë nga Yershova, familja u kaplua nga paniku. Nëna e saj la një mesazh në Facebook duke iu lutur kujtdo që e dinte se çfarë i kishte ndodhur, të kontaktonte.

Pak kohë më vonë, nënës së saj disa miq të Yershova i thanë se kanë parë një trup të vdekur, me tatuazhe të ngjashme si të sajat…

Dereko thotë se imazhet e para nga CNN tregojnë trupin e gjymtuar të thjeshtrës së tij. Policia i tha familjes se ajo ishte vrarë nga ushtarët rusë.

Dukej sikur ajo ishte torturuar ose sikur kishte bërë rezistencë. Dereko beson gjithashtu se Yershova ishte abuzuar seksualisht nga trupat ruse, pasi edhe efektivët e policisë kështu u kishin lënë të kuptohej.

Oficerët që mbikëqyrën rastin nuk pranuan të komentojnë për CNN për shkak të hetimit që ishte ende në vijim.

Pritja e mundimshme e familjes Dereko për përgjigje pasqyron ankthin në rritje mes raporteve të përdhunimeve të kohës së luftës në vend.

Zyrtarët ukrainas thonë se forcat ruse kanë abuzuar seksualisht me gra, fëmijë dhe burra që nga fillimi i pushtimit, duke përdorur përdhunimin dhe vepra të tjera seksuale si armë lufte.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe psikologët ukrainas me të cilët foli CNN, thonë se kanë punuar gjatë gjithë kohës për t’u marrë me një numër në rritje të rasteve të abuzimit seksual që dyshohet se janë bërë nga ushtarë rusë.

Një raport i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i lëshuar më 13 prill, zbuloi shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar nga forcat ruse në Ukrainë, duke vënë në dukje se “raportet tregojnë raste të dhunës me bazë gjinore të lidhur me konfliktin, si përdhunimi , dhunë seksuale ose ngacmim seksual”.

“Ushtarët rusë po bëjnë gjithçka që munden për të treguar dominimin e tyre dhe përdhunimi është gjithashtu një mjet përes të cilit tregojë forcë”, tha psikologia Vasylisa Levchenko, e cila themeloi një shërbim që ofron këshillim falas për ukrainasit që vuajnë nga trauma të lidhura me luftën.

Levchenko thotë se rrjeti i saj, i quajtur Psy.For.Peace, ka folur me rreth 50 gra nga rajoni i Kievit, të cilat thonë se janë sulmuar seksualisht nga ushtarët rusë. Ajo tha për CNN se grupi po merret me disa raste, duke përfshirë një 15-vjeçare dhe nënën e saj, të cilët u abuzuan seksualisht nga ushtarët çeçenë pro-rusë, dhe përdhunimin në grup të një gruaje tjetër nga shtatë ushtarë, ndërsa të arrestuarit ukrainas u detyruan të shikojnë aktin.

“Arma (përdhunimi) është një demonstrim i përbuzjes së plotë për popullin ukrainas”, tha Levchenko.

“Ka njerëz që ndihen fajtorë që nuk janë në gjendje të bëjë diçka, fajtor për mbijetesën, teksa shohin një person t’u vdesë para syve”.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar civilët që nga fillimi i luftës – një pretendim i hedhur poshtë nga sulmet e shumta që janë verifikuar nga CNN dhe organizata të tjera lajmesh.

Alyona Krivulyak, e cila drejton një linjë telefonike kombëtare në La Strada-Ukrainë, një grup që bën fushatë kundër dhunës me bazë gjinore, i tha CNN se linja telefonike ka marrë nëntë raporte përdhunimesh nga i gjithë vendi, shumica e tyre përdhunime në grup.

“Përdhunimi është një instrument lufte kundër popullatës civile, një instrument i shkatërrimit të kombit ukrainas,” tha ajo.

Psikologia Alexandra Kvitko, e cila punon në një linjë telefonike për viktimat e traumës, e drejtuar nga Avokati i Popullit i Ukrainës me mbështetjen e UNICEF-it, tha se ka dëgjuar dhjetëra rrëfime për dhunë seksuale gjatë luftës.

“Kjo dhunë seksuale, ky lloj brutaliteti nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha ajo për CNN.

‘Këtë herë nuk munda ta shpëtoja’

Grupet e të drejtave thonë se viktimat do të përballen me traumën e abuzimit seksual për pjesën tjetër të jetës së tyre, ndërsa familjet e atyre që vdiqën, si Karina Yershova, mbeten në kërkim të përgjigjeve, duke u përballur me tmerrin e ndodhur me të dashurit e tyre.

Trupi i Yershovës u gjet në një varr të masiv në Bucha, së bashku me ato të 65-vjeçares Natalia Mazokha dhe burrit të saj, Victor, 64 vjeç.

Fqinjët i thanë vajzës së Mazokhas, Julia, se ushtarët rusë kishin tërhequr zvarrë një grua të plagosur, që besohet të ishte Yershova, në oborrin e prindërve të saj në mes të marsit… Natalia u përpoq ta ndihmonte.

“Ushtarët u kthyen dy minuta më vonë, kur mamaja ime ishte pranë saj duke i dhënë ndihmën, dhe rusët e qëlluan atë, qëlluan nënën time,” tha Julia Mazokha.

Artikulli paraprakGJENDET NJË TJETËR VARR MASIV NË MARIUPOL, AUTORITETET: RUSËT PO FSHEHIN GJURMËT E KRIMEVE TË LUFTËS
Artikulli tjetërPENTAGONI: MË SHUMË SE 20 VENDE DO TË BISEDOJNË PËR UKRAINËN