Kosova arriti të marrë një pikë në transfertën ndaj Finlandës që ishte edhe ndeshja e parë për këtë përfaqësuese në kualifikueset për Botërorin “Rusi 2018”.
Me pak fat, Kosova mund të merrte edhe të treja pikët, pasi dominoi tërësisht ndeshjen, duke qarkulluar më shumë topin dhe duke rrezikuar portën e finlandezëve, të cilët me sa duket mbeten të befasuar me cilësinë e skuadrës kosovare. Pavarësisht se rrezikoi e para, Kosova pësoi në minutën e 18, ku në zhvillimin e një goditjeje nga këndi Arajuuri arrin të shënojë, pasi më parë u harrua nga mbrojtja e ekipit të Bunjakut. Barazimi erdhi në minutën e 60, kur Lam ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Bernard Berishës brenda zonës dhe arbitri akordoi penallti. Valon Berisha nuk gaboi nga pika e bardhë duke barazuar shifrat.