3 maji është shndërruar në një ngjarje historike për futbollin kosovar. Kosova zyrtarisht bëhet anëtarja e 55 e Federatës Evropiane të Futbollit, UEFA.
Vendimi është marrë në Kongresin e UEFA-s në Budapest, ku 28 vende kanë ngritur dorën në favor të Kosovës.24 vende të tjera votuan kundër, ndërsa 2 vota u shpallën të pavlefshme. Anëtarësimi në UEFA u mundëson ekipeve të Kosovës të marrin pjesë në garat evropiane, si dhe i hap rrugën Kosovës të anëtarësohet në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA. Kjo e fundit do të mbajë kongresin e radhës në Meksiko Siti më 12 dhe 13 maj. FIFA, në janar të vitit 2014, i ka lejuar Kosovës që të luajë ndeshje miqësore kundër shteteve anëtare të FIFA-s, në nivele klubesh dhe ndërkombëtare. Kosovës, megjithatë, nuk i lejohet të luajë kundër klubeve dhe ekipeve nga shtetet e ish-Jugosllavisë. Ka qenë po ashtu kërkesë e FIFA-s që ekipet e Kosovës të mos përdorin simbole shtetërore dhe të mos këndojnë himnin e tyre në lojëra. Prej se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, Serbia ka kundërshtuar vazhdimisht përfaqësimin e veçantë të saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.