Vllaznia B ka arritur një sukses historik duke arritur që të dalë në Kategorinë e Parë.
Ky ka qenë edhe objektivi i kësaj skuadre që drejtohet nga Ervis Kraja që në fillim të sezonit dhe tashmë kuqeblutë bëjnë realitet këtë ëndërr të tyren. Vllaznia B fitoi përmes penalltive ndeshjen e vlefshme për fazën Play Out me ekipin e Sopotit, sfidë që u luajt në stadiumin e Lushnjes “Roza Haxhiu”.
Loja e rregullt mes të dy ekipeve ka përfunduar në barazim pa gola 0-0. Rastet gjatë 90-minutëshit nuk munguan për të dy ekipet por pa arritur të konkretizojnë me gol. Pjesa e parë e lojës është më e balancuar ndërsa në të dytën ndeshja bëhet më e hapur dhe ekipet guxojnë më shumë me lojën sulmuese.
Është minuta e 71 kur Çota ka një mundësi për Sopotin ndërsa pak çaste më pas Balaj ndalet në një aksion sulmues nga Vashaku. Koha e rregullt mbyllet 0-0 për t’i lënë vendin shtesës. Në të dy kohët shtesë ekipet tentojnë të gjejnë golin e fitores por të dy mbrojtjet janë në një ditë të mirë.
Gjithçka i mbetet fatit nga 11-metërshat. Nga penalltitë Vllaznia B tregohet më e saktë dhe arrin të fitojë 4-3. Sopoti kishte mundësi të fitonte kur rezultati në penallti ishte 3-2 për ta por Çota humb këtë mundësi për librazhdasit dhe shkodranët e shfrytëzojnë mirë duke barazuar dhe duke fituar 4-3, fitore që i çon në Kategorinë e Parë. Për Vllazninë B përmes 11-metërshave shënuan Milo, Vjerdha, Balaj dhe Bega ndërsa humbën penalltitë Djepaxhia dhe Dyca. Tashmë Vllaznia B do jetë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.