Në ditën e dytë të vizitës së saj në Shkodër, ambasadorja e Bashkimit Evropian Christiane Hohmann e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia, zgjodhi të vizitojë “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës”. Ai është një prej ish burgjeve famëkeq të komunizmit, në të cilin është dokumentuar një nga periudhat e errëta të Shkodrës dhe Shqipërisë për afro 50 vite. Ambasadorja Hohmann theksoi rëndësinë që ka njohja e asaj periudhe dhe përcjellja tek brezat e ri, me qëllim që demokracia dhe liria të mos cënohen në asnjë lloj kohe më.

Ambasadorja Hohmann e cilësoi këtë muze si një prej dëshmive më të forta që Shkodra ka ruajtur në historinë e saj, e për të cilin vlerat historike janë të mëdha. Turin e vizitës së saj në Shkodër Hohmann dhe Spahia e vijuan në inaugurimin e murales “Dhunë off – Power on”, me vargjet e shkrimtarit Martin Camaj, ku u hapen 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Nisma në fjalë erdhi falë bashkëpunimit të bashkisë Shkodër me Europe House dhe shoqatën Bash-Art.

 

Artikulli paraprakTËRMETI, FAMILJA LITA E PASTREHË PREJ TRE VITESH
Artikulli tjetërNDIHMA USHQIMORE NË NJËSINË GUR I ZI