Homazhe në Berlin për 12 viktimat e sulmit terrorist Merkel: “Ngjarje tronditëse jo vetëm për gjermaninë, por për gjithë botën”

Në Berlin, flamujt janë ulur në gjysmështizë pas aktit terrorist të së hënës. Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu dhimbjen e thellë për këtë ngjarje, ndërsa qindra qytetarë kanë vënë buqeta me lule në vendin ku ndodhi akti terrorist. Flamujt janë ulur në gjysmështizë në Berlin, si në ndërtesën e parlamentit, ashtu edhe në selinë e kancelares, në nderim të viktimave të aktit terrorist të së hënës, ku humbën jetën 12 persona. Në ndërim të viktimave, kancelarja gjermane Angela Merkel u shfaq në të zeza në daljen e saj publike në konferencën për shtyp për këtë ngjarje, rreth orës 11 të paradites. Shprehu dhimbjen e thellë për këtë ngjarje të rëndë, që siç tha – “Ka tronditur jo vetëm Gjermaninë por edhe opinionin publik ndërkombëtar”. Merkel doli në konferencë përpara se në mediat gjermane të publikohej lajmi se pakistanezi i arrestuar nuk kishte pranuar autorsinë e aktit terrorist. Ndaj dhe kancelarja e kishte marrë të mirëqenë faktin se autori ishte arrestuar. Sipas saj, sulmin e kreu një azilkërkues që ka ardhur të kërkojë mbrojtje dhe stresim në Gjermani. Akti që ai kreu – tha Merkel – “Është kundër vullnetit të mirë të qindra gjermanëve që janë angazhuar vullnetarisht për të ndihmuar qindra mijëra refugjatë të ardhur gjatë vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti”. Më pas kancelarja vuri buqeta me lule në vendin ku humbën jetën 12 persona, të aksidentuar për vdekje nga kamioni i terroristit. Homazhe, gjatë gjithë ditës kanë bërë qindra qytetarë të Berlinit, teksa shitjet në tregun e Krishtlindjeve janë pezulluar përkohësisht.

Artikulli paraprakVETËDORËZOHET I DYSHUARI PËR GRABITJEN E BANKËS NË TIRANË “NUK KAM LIDHJE ME NGJARJEN, TËRHOQA PARA”
Artikulli tjetërOPERACIONI “BOASTER”, NE PRANGA EDHE NJE TJETER SHQIPTAR