800 familje në fshatin Hot i Ri të Njësisë Administrative Rrethina në Bashkinë e Shkodrës po furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm.
Kjo është bërë e mundur falë ndërhyrjes së Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, e cila ka rinovuar totalisht rrjetin por edhe ka shkëputur mbi 30 lidhje të jashtëligjshme.
Nga 10-40 minuta ujë në ditë, sot këta banorë furnizohen mbi 4 orë dhe tendenca është në rritje.
Nga ana tjetër, shtrirja e rrjetit të ri të ujit të pijshëm, është shoqëruar edhe me vendosjen e matësve të ujit, ku deri tani janë instaluar më shumë se 150.
Procesi vazhdon në këtë njësi administrative, për tu shtrirë më pas në 5 fshatra të tjerë.