Zgjedhjet – Humbja e shqiptarëve në Mal të Zi, flet Nazif Cungu: Na përçanë

Kryetari i Komunës së Ulqinit dhe kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, forca kryesore shqiptare në Mal të Zi thotë se e kishte paralajmëruar pasi kishte ngritur zërin për përçarjen që po i bëhej shqiptarëve. Ja çfarë shkruan ai në një postim në facebook. Shqiptarët e Malit të Zi kanë humbur 2 deputetë. Të nderuar miq. Së pari falenderoj të gjithë votuesit e Koalicionit Shqiptarët të Vendosur. Votat që na janë dhënë nuk janë vetëm privilegj por edhe obligim për të punua rmë shumë për t’i merituar ato vota. Falenderime të veçanta i takojnë komisionerëve, vëzhguesve dhe të gjithë aktivistëve tanë të angazhuar në fushatë dhe në procesin zgjedhor për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre Ne jemi të kënaqur që këto vota konfirmojnë se koalicioni ynë është forca kryesore shqiptare në Mal të Zi megjithatë nuk do e festojmë këtë sukses tonin të radhës. Ne nuk do e festojmë këtë fitore të koalicionit tonë, sepse përfaqësimi politik i partive shqiptare në Mal të Zi ka arritur pikën e saj më të ulët në historinë e pluralizmit. Ne i kemi bërë thirrje të gjithë aktorëve politik shqiptarë dhe diasporës sonë që të bashkoheshin me ne për të bërë një listë të vetme sepse vetëm ashtu mund të maksimalizonim votën e popullit tonë. Ne i paralajmëruam të gjjthë faktorët politike shqiptarë, jo vetëm në Mal te Zi por edhe në Shqipëri, Kosovë Maqedoni e diasporë se mosbashkimi mund të shkatërronte përfaqësimin shqiptar në parlament dhe sot po vëmë re me dhimbje që fjalët tona po dalin. Prandaj ne shprehim keqardhje që përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi është dobësuar si asnjëherë më parë në epokën e demokracisë dhe se ne kemi tretur dy deputetë si parti shqiptare. Me këtë rast dua të vë para përgjegjësisë morale të gjithë ata që kanë iniciuar dhe përkahur përçarjen e shqiptarëve dhe kanë shkaktuar këtë dëmtim të madh të përfaqësimit shqiptar në parlamentin e Podgoricës. Këtu bëhet fjalë për një përgjegjësi historike para mbarë kombit shqiptar të të gjithë atyre që për shkak të kokëfortësisë apo interesave të ulta personale apo për hir të kompromiseve apo infiltrimeve të fshehta kanë penguar unifikimin e faktorit politik shqiptar. Kjo përçarje nuk është rastësi por është vazhdimësi dhe përkeqësim i asaj që ndodhi në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2012 kur lista e katërt e ashtuquajtur Aleanca Rinore Shqiptare, e improvizuar pak kohë para zgjedhjeve shkaktoi humbjen e deputetit të tretë. Të njëjtin efekt tretës ka shkaktuar edhe e ashtuquajtura lista e Lidhjes Demokratike Shqiptare e sajuar pak ditë para zgjedhjeve duke shkaktuar çuarjen dëm të atyre votave që përndryshe do të ishin përkthyer në deputetë shqiptare. Në një situatë të tillë ne premtojmë se nuk do të ndalemi së punuari për të bashkuar njëherë e mirë popullin shqiptar në Mal të Zi në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet unik dhe i fuqishëm në Podgoricë. Po ashtu i sigurojmë votuesit shqiptarë, përfshi ata që kanë votuar dy listat e tjera humbëse, se ne do të punojmë në parlament me më shumë energji se më parë për të kompensuar sadopak deputetët e tjerë shqiptarë të tretur. Së fundmi falenderoj edhe njëherë nga zemra të gjithë votuesit tanë për përkrahjen besnike, ne ju jemi perjetë mirnjohës.

Artikulli paraprakKODI CIVIL,SHUMICA E PAKICA KUNDER PROPOZIMEVE TE MANJANIT
Artikulli tjetërHEKURUDHA NE RINAS,NIS NE DOMJE DHE PERFUNDON NE AEOPORT