Shtyhet sërish për herë të tretë seanca gjyqësore ndaj Saimir Tahirit. Arsyeja është se prokuroria nuk ka gjetur 3 fashikuj të gjykimit. Ndërkohë që Saimir Tahiri pas daljes nga prokuroria ka deklaruar; “Ky proces është shtyrë për të tretën herë, herën e parë se letrat e postës ishin të grisura, herën e dytë se nuk ishin bërë njoftimet dhe herën e tretë, që na kanë humbur letrat. Edhe një çerdhe është më e organizuar se kaq. Nuk e di si mund të ndodhë që mund të humbasin letra në prokurori kur dihet kush i ka dërguar dhe kush i ka marrë. Nuk e di si mund të vijohet kështu, me këto letra prokuroria kërkoi arrestimin tim dhe sot thotë më kanë humbur. Kjo është qesharake. Nuk dua ta di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëz, nëse është e qëllimshme është e keqja më e vogël, pasi nuk paska gjetur rrugë tjetër se kjo kaq banale. Shpresoj që të jenë mungesë vëmendje. E thashë edhe në seancë, ata janë prova në favorin tim, por unë heq dorë vetëm që gjyqi të mos shtyhet. Po heq dorë nga disa dëshmi në favorin tim. Unë heq dorë vetëm të mos shtyhet.

Një procedim nisi me kërkesën për arrestimin tim dhe letrat janë zhdukur. Kjo është qesharake, kjo nuk ndodh as në dyqan. Përkthimet janë në prokurori. Di të them që e quaj të tepërt të shtyhet gjyqi për herë të tretë, qesharake, skandaloze, poshtëruese për drejtësinë dhe jo për mua. Unë kam konstatuar edhe mungesa të tjera, drejtuesja e prokurorisë më kanë thënë se dosja është e saktë, sikur e keni marrë edhe ju. Më intereson që gjyqi të mos zgjatet. Është e shëmtuar si mund të ndodhë kjo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe bëhet fjalë për shkresa që i keni nxjerrë ju në gjuhën shqipe, kur i ka media nuk i ka prokuroria?! Ata janë dëshmi në favorin tim, por nuk i dua, heq dorë, vetëm gjyqi të mos shtyhet. Nuk mund të bëj edhe postierin, edhe policin edhe të pandehurin. Një seancë postieri solli ca letra të grisura, një seancë nuk bëri njoftimet dhe tani hataja më e madhe është që paskan humbur letrat. Më gjeni një tjetër institucion që ka humbur letrat në këtë mënyrë, atëherë Republika ka rënë. Nuk spekuloj dot se ka shumë variante, janë njëri më i keq se tjetri, por di që do ia dal herët apo vonë dhe keni për ta parë” tha ai.

Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Në 19 Qershor ai tha se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi gjyqësor dhe kërkoi gjykim të shkurtuar. Gjykimi i shkurtuar nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.

Artikulli paraprakSHERR NË FAMILJE, DJALI GODET TË ATIN ME SËPATË NË BALLË
Artikulli tjetërGODITËN ME SENDE TË FORTA 43-VJEÇARIN NË MIRDITË, 3 NË PRANGA