Vllaznia u “shkatërrua” në ndeshjen e fundit në kampionat, duke u mposhtur me rezultatin 4-1 nga Partizani në kryeqytet. Megjithatë, në pushimin e kësaj ndeshje, një situatë e paprecedentë ka ndodhur në dhomat e zhveshjes së Vllaznisë, teksa humbja me të kuqtë nuk është përtypur nga stafi drejtues, por as nga disa futbollistë. Kështu, në përfundim të pjesës së parë, presidenti Alban Xhaferi ka zbritur në dhomat e zhveshjes, duke kërkuar llogari tek futbollistët, teksa duket se kjo situatë e “trazuar” u shfaq edhe në pjesën e dytë në fushën e lojës, ku kuqeblutë ishin plotësisht të shpërqëndruar, duke pësuar edhe një gol tjetër. Nga sa mësohet në pushim të ndeshjes, Bekim Balaj, në rolin e liderit dhe kapitenit, ka qenë ai që iu ka kërkuar më shumë llogari shokëve të tij të skuadrës, duke i kritikuar së tepërmi për ndeshjen që po zhvillonin ndaj Partizanit.
Ndërkohë, trajneri Qatip Osmani, pavarësisht kërkesës së llogarisë ndaj futbollistëve të tij, duket se ka kërkuar që disa debate mes vetë lojtarëve të mbyllen aty për aty. Situata ka qenë e ndezuar mes futbollistëve lidhur me golat e pësuar, teksa mësohet se ai u është drejtuar lojtarëve kuqeblu, duke iu thënë se analizat bëhen prej tij dhe jo prej tyre. “Të mos diskutohet tani ku u gabua.
Të shikojmë çfarë do të bëjmë në pjesën e dytë. Nuk është koha për të bërë debate dhe për të gjykuar njëri-tjetrin”,-mësohet të ketë thënë trajneri Osmani. Debatet mësohen të kenë qenë si shkak i dy golave të pësuar në minutat shtesë të pjesës së parë. Megjithatë, pavarësisht asaj që është diskutuar në dhomat e zhveshjes, kuqeblutë nuk arritën të reflektojnë në pjesën e dytë të takimit. Një ngjarje e pazakontë që mesa duket ka shkaktuar “tërmet” në klubin shkodran dhe me gjasë, në ditët në vijim nuk do të mungojnë masat nga ana e drejtuesve.