Humbja në Korçë, ndaj Skënderbeut, sigurisht që nuk është pritur mirë nga askush në Shkodër.
Natyrshëm, më shumë sesa rezultati ka djegur jo pak paraqitja zhgënjyese e ekipit. Në media ka bërë përshtypje jo pak deklarata e trajnerit Cungu, që kërkonte më shumë përgjegjësi nga të gjithë futbollistët, por edhe mbështetje më të madhe nga drejtuesit e klubit. Madje, është paralajmëruar edhe për ndonjë mbledhje, por në fakt, nuk duket se do të ketë të tillë. Situata pritet të analizohet me qetësi dhe jo me presion. Mbase në ditët e ardhshme do të ketë edhe ndonjë takim në mes palëve. Për momentin vëmendja është e përqendruar te kalimi i ndeshjes së Kupës me Mamurrasin, që do të luhet ditën e mërkurë, në orën 14:00, në fushën sportive “Reshit Rusi”. Klubi shkodran ka bërë të ditur se hyrja e tifozëve do të jetë pa bileta dhe, pavarësisht se kualifikimi është zgjidhur që në ndeshjen e parë, sërish ky është një test për të parë gjendjen e disa futbollistëve. Pas këtij takimi mund të ketë një analizë të hollësishme të situatës në skuadër. E rëndësishme është që humbja me Skënderbeun të shikohet me shumë vëmendje për të nxjerrë problematikën e shfaqur në të. Kuptohet që arsyet për t’u ndalur tek ky dështim janë të shumta, sepse një Vllazni, e cila nuk pësonte gol në katër ndeshjet e para, këtë radhë u shkërmoq krejtësisht në fushën e lojës. Prandaj, vetë futbollistët duhet të tregojnë çfarë ka ndodhur në këtë takim.