Humbja e Vllaznisë më Flamurtarin në Vlorë me rezultatin 2-0 nuk ka kaluar krejt qetë në kampin shkodran. Ka qenë trajneri i Vllaznisë Armando Cungu ai që është rikthyer me kritikat në drejtim të lojtarëve kuqeblu pas disfatës që pësuan në Vlorë.
Nga sa mësohet trajneri Cungu ka kërkuar nga futbollistët e tij që të mos lëshojnë sepse kampionati ende nuk ka mbaruar dhe janë edhe 6 ndeshje për t’u luajtur në total. Sipas burimeve tekniku Cungu i ka bërë të ditur lojtarëve të tij se Vllaznia ka të gjitha shanset për të kapur vendin e katërt dhe se duhet që të luftojnë deri në fund për t’ia arritur qëllimit. Pasi kishte 6 ndeshje pa humbje dhe pas dy barazimeve me dy kryesueset Kukësin dhe Skenderbeun Vllaznia ishte thuajse inekzistente në fushën e lojës ndaj Flamurtarit duke humbur kështu 2-0.
Kjo humbje bëri që shkodranët të lëshojnë vendin e katërt të renditje gjë e cila qartazi ka shqetësuar trajnerin e Vllaznisë. Menjëherë pas ndeshje trajneri Cungu shfaqi pakënaqësitë e tij me ekipin duke mos e kuptuar se çfarë ndodhi dhe përse erdhi kjo lloj loje e vakët ndaj vlonjatëve gjë e cila shkaktoi edhe humbjen. Tashmë timonieri i stolit kuqeblu ka kërkuar që në ndeshjen e radhës me Korabin Vllaznia të tregojë vlerat e saj të vërteta dhe të rikthehet tek rezultatet pozitive duke kërkuar kështu një fitore. Korabi mban vendin e fundit në renditje ndaj Vllaznia është favorite duke qenë se luan brenda fushës. Pavarësisht kësaj trajneri Cungu ka kërkuar vëmendje maksimale nga ana e lojtarëve të tij për të arritur fitoren.