Vijon e tensionuar situata në stacionin e trenit në Budapest, ku mijëra perosna tentojnë të nisen me trena drejt Gjermanisë. Pas bllokimit dy ditor, autoritetet hungareze më në fund hapën portat e trenave për klandestinët e ardhur nga vendet e konfliktit si Siria apo Afganistani. Ata u dyndën drejt stacionit të Budapestit, ku shumë prej tyre vareshin nëpër portat e vagonëve dhe të tjerë turreshin të gjenin një vend pavarësisht kapacitetit të mjetit të udhëtimit.
Kjo familje e dëshpëruar refugjatësh po zvarritet në shinat e trenit, duke kundërshtuar autoritetet hungareze që kërkojnë ti transportojnë në një kamp strehimi për emigrantët. Oficerët e policisë hungareze të veshur me helmeta mbrojtëse dhe në duar me shkopinj gome u përleshën me turmën e emigrantëve që kërkojnë dëshpërimisht të vijojnë rrugëtimin e tyre drejt Europës Perëndimore Sakaq kryeministri i vendit, Viktor Orban, ka fajësuar Bashkimin Europian për paaftësi në menaxhimin e krizës së emigrantëve, duke paraljmëruar një rregullore të re brenda 15 shtatorit. Madje ai tha se do të përforcojë edhe kufirin me të tjera barriera, me qëllim ndalimin e fluksit të klandestinëve.