Parlamenti hungarez miratoi me shumicë dërrmuese hyrjen e Suedisë në NATO duke i hapur rrugën përfundimisht anëtarësimit të Stokholmit në Aleancën Atlantike. Gjatë fjalimit të sotëm në Kuvend, Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se Hungaria “mbështet anëtarësimin. NATO-ja është një aleancë e mbrojtjes. Ne bëjmë aleanca për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast të një sulmi nga jashtë. Nuk ka ndonjë angazhim më serioz se ky.” Kryeministri suedez Ulf Kristersson e përshëndeti si “një ditë historike” pas ratifikimit hungarez të anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke i hapur rrugën hyrjes së saj në Aleancën Atlantike.
“Sot është një ditë historike. Suedia është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj në drejtim të sigurisë euroatlantike, thuajse dy vjet pas fillimit të procesit të anëtarësimit”, shtoi ai.
Vendimi u përshëndet edhe nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani.
“Shqipëria mirëpret pranimin e Suedisë në NATO, pas përfundimit të proceseve të ratifikimit në të gjitha vendet aleate. Anëtarësimi i Suedisë do të forcojë sigurinë e rajonit tonë dhe të gjithë Aleancës”, shkruan Hasani.