Nga sot drejtuesit e mjeteve, do të duhet të zbatojnë rregullat e reja të qarkullimit, pasi gabimet do të kushtojnë më shtrenjtë, që nga niveli i gjobave e deri te bllokimi i patentave.

Kodi i plotë i publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, përfshin 10-fishim të gjobave për personat që dëmtojnë sinjalistikën rrugore, apo nuk marrin masa për sigurimin e fëmijëve nën 12 vjeç, me ndenjëse të fiksuara. Po ashtu, nisur nga shqetësimet e ngritura nga drejtuesit e mjeteve për shpërqendrimin nga tabelat e reklamave në anë të rrugës, subjektet që i vendosin ato rrezikojnë të paguajnë gjobë nga 100 deri në 400 mijë lekë. “Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga”, thuhet në pikën 7 të nenit 23. Ndryshimet prekin edhe rikategorizimin e llojit të patentave (të cilat do të dalin me një format të ri), rikategorizimin e mjeteve, specifikime për moshën e drejtuesve (nga 16 deri në 18 vjeç, mosha e lejuar sipas llojit të mjetit), si dhe kriteret për autoshkollat. Për marrjen e lejes së drejtimit, janë miratuar kontrollet shëndetësore dhe psikike për kandidatët, dhe për disa sëmundje që mbartin drejtuesit, do të ketë kontrolle periodike. Patenta do të ketë 20 pikë dhe në varësi të gabimeve në drejtimin e mjetit do të bëhen zbritje. Në nenin 120 të Kodit, shtohet një pikë, sipas së cilës “leja e drejtimit do të jetë me pikë”, dhe për rreth 45 gabime, të cilat janë caktuar më herët me një projektvendim të Ministrisë së Transporteve, do të zbriten pikë, nga efektivët e qarkullimit rrugor. Në raste të ndryshme, as gjoba nuk do t’i bëjë punë drejtuesit të mjetit në rast se gabimet i shkaktojnë humbje të menjëhershme të 15 pikëve. Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura do të përcaktohen nga Ministria e Transporteve me akte të veçanta që rregullojnë veprimtarinë e Autoshkollave dhe programet e testimit, por ato në disa raste, pikët rikuperohen nga pagesa e gjobave në kohë.

Artikulli paraprakYMERAJ: NUK E NJOHIM KSSH, MINISTRIA PARTNERE ME 2 SINDIKATA TË TJERA
Artikulli tjetërTRANSFERTA E PAKUSHTËZUAR, QEVERIA NDAN FONDIN PËR BASHKITË