Komisioni i Posaçëm i Apelit (KPA) ka vendosur të konfirmojë në detyrë prokurorin Elvin Gogaj, i cili ishte drejtues i prokurorisë së Apelit Shkodër.

Gogaj, është prokurori i parë që kthehet në detyrë, pas vendimit të pezullimit që kishte marrë Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit.

Në fakt ky komision pezullonte Gogajn nga detyra e drejtuesit të prokurorisë së Apelit Shkodër, dhe urdhëronte që ai të vijonte për 1 vit shkollën e magjistraturës, pasi komisioni gjatë shqyrtimit të disa ankesave nga njerëz anonimë, ka konstatuar mangësi profesionale, ndaj dhe urdhëroi që të kthente në shkollë prokurorin.

Por gjatë zhvillimit të studimit, kundër vendimit të prokurorit Gogaj, ushtroi ankim në KPA komisioneri publik i cili kërkonte shkarkimin e Gogaj nga detyra e prokurorit, pasi sipas komisionerit publik nuk justifikonte 6 mijë euro pasuri.

Në fakt gjatë seancës gjyqësore, kolegji ka shqyrtuar me përpikmëri të gjitha dokumentat, ku ka rezultuar se Elvin Gogaj nuk kishte kryer fshehje të pasurisë.

Për më tepër ishte në rregull në aspektin profesional dhe atë të kriterit pasuror. Gogaj, tashmë pritet të kthehet në vendin e tij të punës, atë të drejtuesit të Apelit të prokurorisë së Shkodrës.

Ky është rasti i dytë pas gjyqtarit Fuat Vjerdha, që KPA vendos të rikthejë në detyrë juristë të ndershëm dhe profesionistë të cilët ishin shkarkuar me vendim të KPK-së.

Gogaj, në karrierën e tij ka shërbyer si drejtues i disa prej prokurorive më të rëndësishme të vendit, si drejtues në Vlorë, Fier, Burrel, Elbasan, Kurbin dhe së fundmi ishte drejtues në Shkodër.

Artikulli paraprakPROKURORIA SPECIALE E HAGËS KËRKON QË GJYKIMI TË FILLOJË NË VERËN E 2021
Artikulli tjetërBUXHETI I RI, PENSIONISTËT: NA KANË HARRUAR