Shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në Prishtinë, pasi u akuzua se iu bashkua grupit terrorist ISIS gjatë luftës në Siri, Artan Kadriu.Siç tha avokati i tij, mungonin provat ndaj akuzës se iu bashkua grupit terrorist ISIS.

Fillimisht, aktakuza e Prokurorisë Speciale, me përfaqësues prokurorin Abdurrahim Islami, u ngrit për Artan Kadriun dhe Arian Alijajn, por ky i fundit ka pranuar fajësinë në fillim të këtij procesi gjyqësor. Në mars të vitit 2016, të akuzuar se u janë bashkuar grupeve të jashtme paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë, Artan Kadriu dhe Arian Alijaj ishin arrestuar në kufi të Sirisë me Turqinë, në provincën Hatay. Avokati i caktuar nga Gjykata sipas detyrës zyrtare, Ahmet Gjinovci ka thënë për Gazetën Express se Artan Kadriu shpallet i pafajshëm në mungesën e provave. “Nuk është vërtetu që Kadriu ka kry këtë vepër penale. Është shpallë i pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë”, tha Gjinovci për Express. Aktakuza e siguruar nga Gazeta Express thotë se ata u ndaluan nga autoritetet turke së bashku me tre persona të tjerë: dy boshnjakë dhe një shqiptar nga Maqedonia. Prokuroria Speciale thotë se të pandehurit kanë qëndruar të ndaluar në Turqi deri më 31 maj 2016. Më vonë, ata u ekstraduan në Kosovë.

Në fillim të këtij procesi gjyqësor Arian Alijaj e ka pranuar fajësinë dhe ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale, e cila e ngriti këtë aktakuzë. në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e dënoi Alijajn me dy vjet e gjysmë burg. Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se Artan Kadriu dhe Arian Alijaj kanë shkuar në Siri nga Turqia dhe më pas janë kthyer sërish në Turqi. Me të hyrë në vendkalimin kufitar Siri-Turqi, ata u arrestuan nga autoritetet turke dhe qëndruan në burg rreth 1 muaj. Artan Kadriu ngarkohet edhe me një akuzë tjetër nga Prokuroria, në të cilin rast janë të përfshirë një grup prej 10 personave që akuzohen për terrorizëm. Ata janë: Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Bekim Halili, Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini. Ata dyshohen për pjesëmarrje në grupet terroriste ISIS e Al Nussra, në Siri e Irak

Artikulli paraprakISHTE DIPLOMUAR NË SHQIPËRI, DËNOHET ME BURG DENTISTI ITALIAN
Artikulli tjetërPOLICI BIE NË GROPË DUKE NDJEKUR PUNËTORIN