Një prej autorëve të arrestuar nga policia e Durrësit në lidhje me grabitjen e dosjeve të Prokurorisë, dyshohet se ishte edhe vetë nën hetim.

Besnik Bushi ishte pjesë e personave të hetuar në atë që quhet “Dosja e Ishmit”, ku bashkë me persona të tjerë kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 3685 metra katrore tokë.

Bushi kishte djalë daje kryetarin e komunës Ishëm, Sulejman Ibrahimi. Bushi ka shkuar për të prishur provat që e implikonin atë për përfitimin e kësaj toke në mënyrë të paligjshme.

Më urdhër të Prokurorisë, policia ka ndaluar dy të dyshuarit Artur Isa 49 vjeç, banues në Sukth i Ri dhe Besnik Bushi, 54 vjeç, banues në Durrës, të dy me precedentë penalë të mëparshëm.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së enjtes, ku autorët dëmtuan serverin qëndror të prokurorisë së Durrësit dhe morën dokumente hetimore në dosjen e prokurorit Afrim Shehu dhe një oficeri të Policisë gjyqësore.

Mes dokumenteve të vjedhura mësohet se janë shkresa të dosjes hetimore për skandalin e tjetërsimit të tokave në zonën e Ishmit.

Një burim i hetimit tha se shkresat e dosjeve të tjera ishin hedhur në kosh dhe ishin lënë në mënyrë të çrregullt në zyrën e prokurorit të Task-Forcës.

Ky i fundit po heton abuzimin me pronat në bregdet dhe ka në dorë dosje për disa institucione të rëndësishme siç është porti, dogana, bashkia, hipoteka por edhe një sërë grupesh kriminale të cilët dyshohen se ushtronin aktivitetin e pastrimit të parave.

Në largim autorët kanë marrë edhe pajisjet CD ku janë regjistruar pamjet e kamerave të sigurisë gjatë kohës së vjedhjes.

Artikulli paraprakRAMA: PËRGJIMI I PD, SAJESË E ESADISTËVE TË RINJ. BASHA: JA KUSH PO E PENGON SHQIPËRINË
Artikulli tjetërPROTESTA, POLICIA: DO MONITOROHET NGA EKSPERTË TË HUAJ, NUK DO TOLEROHEN SJELLJE QË CENOJNË SIGURINË