Dedë Nika, shtetasi i arrestuar nga policia vendore e Shkodrës si autori i dyshuar i vendosjes së tritolit tre vite më parë në banesën e efektivit të policisë Prelë Milani ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Në seancën për masën e sigurisë që u zhvillua një ditë më parë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër, 33 vjeçari deklaroi se nuk është ai autori i vendosjes së tritolit në banesën e efektivit Prelë Milani dhe shtetasit tjetër Kolë Bungaja, ngjarje të ndodhura brenda një nate më 4 janar 2020. I dyshuari deklaroi në sallë e gjyqit se nuk ka asnjë lidhje me atë ngjarje.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me vendosjen e tritolit tek banesa e Prelë Milanit apo Kolë Bungajës. Nuk kam asnjë dijeni për ato ngjarje. Po ashtu unë nuk kam asnjë konflikt as me efektivin e policisë Prelë Milani dhe as me shtetasin tjetër Kolë Bungaja. Nuk i njoh asnjërin dhe as tjetrin dhe nuk e di përse jam këtu”, mësohet të ketë thënë 33 vjeçari Dedë Nika. Ndërkohë edhe pala mbrojtëse ka deklaruar se i dyshuari nuk ka lidhje me atë ngjarje duke kërkuar një masë më të lehtësuese por gjykata e shkallës së parë vendosi “arrest me burg” duke pranuar kërkesën e prokurorisë.

Shtetasi Dedë Nika u arrestua më 29 janar të këtij nga policia vendore e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Mesazhi”. Pas informacioneve në rrugë operative se autori i dyshuar mund të jetë Dedë Nika, policia e Shkodrës në bashkëpunim me prokurorinë kanë bërë të mundur finalizimin e këtij operacioni përmes metodave speciale të hetimit. Për rreth një muaj policia ka përgjuar shtetasin Dedë Nika në mjedise të ndryshme. 33 vjeçari mësohet se në përgjime ka lënë të kuptohet se është ai autori i vendosjes së tritolit në banesën e policit Prelë Milani dhe shtetasit tjetër Kolë Bungaja, 3 vite më parë.

Shtetasi Dedë Nika është i dyshuar për veprat penale “shkatërrimi i pronës me eksploziv” si dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake shpërthyese”, kryer në bashkëpunim. Sipas dyshimeve të policisë vendosja e tritolit lidhet me parcelat e drogës të asgjesuara para 3 vitesh në zonën e Dukagjinit ku pjesë e disa operacioneve ka qenë edhe Prelë Milani, si efektiv policie në ato njësi. Pas tritolit në 2020-ën punonjësi i policisë Prelë Milani tha se nuk ka konflikte por dyshoi se ajo ngjarje ishte për shkak të detyrës duke dyshuar se lidhej me aksionet e policisë në parcelat e drogës. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Artikulli paraprakMBIJETESA E 66-VJEÇARIT, MES MBETURINASH POSHTË URËS
Artikulli tjetërAMBASADORI I SHBA JEP DETAJE PËR BISEDIMET E ASOCIACIONIT NË PRISHTINË