Një vendim në kufijtë e skandalit është dhënë nga Gjykata e Elbasanit për Behar Pemën, i cili më 13 shtator 2020 aksidentoi me vdekje dy vajza të reja dhe dy të tjera i la të plagosura. Ai është dënuar me katër vite burg për aksidentin e 13 shtatorit 2020.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 shtatorit 2020 ndërsa në heshtje prokuroria dhe Gjykata e Elbasanit kanë përfunduar hetimin dhe këtë të premte shpallën vendimin, 4 vite burg për dy viktima. Mësohet se prokurori Binas Nina ka kërkuar 6 vite dënim duke pranuar argumentin se palët përfaqësuese të viktimave dhe autorit kanë normalizuar marrëdhëniet.
Por ky argument duket i dyshimtë, kur i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënës së njërës prej viktimave, e cila nëpërmjet facebook thotë se hoqën dorën nga vetëgjyqësia duke besuar tek drejtësia.
Në momentin pas aksidentit dhe arrestimin nga policia Behar Pema rezultoi se drejtonte mjetin edhe në gjendje të dehur duke goditur nga pas veturën e katër vajzave që për të festuar datëlindjen ishin nisur nga Shkodra në Korçë.
Në bazë të Kodit Penal, neni 290 për ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ thuhet se kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim nga pesë deri në njëzet vjet.
Marrë nga Report Tv