Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, sekuestroi pasuritë e shtetasit Klodian Ndogaj i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi ky i fundit u dënua me 13 vjet dhe 5 muaj burg. Kjo prokurori, regjistroi procedimin penal për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Klodian Ndogaj, pas informacioneve të siguruara se ky shtetas, pasi ka fituar të ardhura të konsiderueshme si rrjedhojë e përfshirjes në veprimtari kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të narkotikëve kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, ka filluar procesin e pastrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet investimit në blerjen e pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe hapjen e veprimtarive të ndryshme tregtare, në emër të tij ose personave të lidhur me të.
Në këto kushte, pasi është kryer një hetim i thelluar në lidhje me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të këtij shtetasi në Republikën e Shqipërisë, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se blerja e tyre nuk justifikohet me të ardhurat e ligjshme të tij apo të familjarëve të tij. Gjithashtu, ka rezultuar se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë apo vendosur në emër të familjarëve dhe më pas janë shitur te persona të tretë, me qëllim mbulimin e gjurmëve dhe fshehjen e origjinës kriminale.
Nisur nga mungesa e justifikimit të pasurive të identifikuara me të ardhura të ligjshme, pas kërkesës së Prokurorisë Shkodër, në Gjykatën e Shkallës së Parë, janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme në emër të shtetasit Klodian Ndogaj dhe personave të lidhur me të, konkretisht një pasuri e llojit truall me sipërfaqe 420 m2 dhe një pasuri tjetër e llojit njësi tregtare me sipërfaqe 112.3 m2 me vlerë në treg rreth 500 mijë euro. Prokuroria vijon hetimet lidhur me këtë person si dhe për shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në veprimtari kriminale.