Një shqiptar i dënuar me 25 vite burg është zhdukur në Britaninë e Madhe. Ai është dënuar për vrasjen e një fermeri në vendlindje në 1997,

ndërsa autoritetet britanike e kishin lënë të lirë me kusht në pritje të ekstradimit për në Shqipëri për të vuajtur dënimin, por Hektor Mahmutaj, 43 vjeç ka shfrytëzuar momentin duke u arratisur.

Shqiptari hyri në Britaninë e Madhe i fshehur në një kamion, ndërsa përdorte 13 identitete të ndryshme, për t’i shpëtuar gjurmimit të policisë.

Pas arrestimit, në tetor të vitit të kaluar gjykata pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare që ai të ekstradohej në Shqipëri, ndërsa Mahmutaj u la i lirë me kusht kundrejt garancisë 10,000 mijë dollarë.

Mahmutaj kundërshtoi ekstradimin, pasi sipas tij do t’i shkelen të drejtat e njeriut. Ai është dënuar për vrasjen e Gentjan Jahajt, në korrik të vitit 1997 në një fshat të Fierit.

Pak muaj më parë, në një shkrim të medive britanike, shqiptari i kërkuar për vrasje, që është baba i dy fëmijëve i mohoi kategorisht akuzat për vrasjen e Fierit.

Ai shprehej se u arratis nga frika e një hakmarrjeje të mundshme, e cila mund të kryhej nga vrasësi i vërtetë. Ndërkohë, pas arratisjes në Britani, një deputet konservator, Philip Davies reagoi duke kritikuar sistemin juridik.

“Kjo tregon se në ç’farsë është kthyer sistemi ynë i drejtësisë dhe sesa perverse apo idiote janë disa vendime gjyqësore. Njerëzit po vihen në rrezik pa shkak për këtë arsye” tha ai.

Artikulli paraprakPARANDALOHET NGJARJA KRIMINALE, ARRESTOHEN 2 PERSONA, NJË TJETËR SHPALLET NË KËRKIM
Artikulli tjetërDORËHIQEN 229 PUNONJËS, SHKARKOHEN E NDËSHKOHEN 567 TË TJERË