Pas lirimit të disa të dënuarve me burgim të përjetshëm, i fundit anëtari i bandës së Durrësit Endrit Dokle, emri i radhës është Musa Protoduari i dënuar përjetë që kërkon rishikimin e vendimit.

I dënuari si organizatori i masakrës së Urës Vajgurore ndodhet në arrati, por ka lëshuar një prokurorë përfaqësimi me një avokat duke kërkuar rishikimin e dënimit të përjetshëm. Në kërkesën e tij, Musa Protoduari bazohet te fakti që është dënuar në mungesë dhe pa praninë e një avokati.

Ai është një nga njerëzit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, ndërsa është paraqitur pranë autoriteteve kanadeze për të lëshuar një prokurorë përfaqësimi përmes avokatit për rinisjen e procesit.

Historia e masakrës së Urës Vajgurore
Ngjarja u shënua gjatë vitit 1997-të, ndërsa të vrarë mbetën katër policë Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami, Ilia Bano. Viktimë mbeti edhe roja i vilës së Protoduarëve, i paidentifikuar. Po ashtu u plagosën edhe 6 policë të tjerë. Përplasja e armatosur filloi në orën 11:55 të paradites, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike.

Atë ditë, në këtë qytezë ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS, i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD-në në miting i ndjeri Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD-së është larguar dhe pas saj ka ardhur ajo Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie.

Atë kohë, qytetin e kontrollonin bandat, që pas hapjes së depove të ushtrisë. Krerët e PS-së pas mitingut në Berat ishin larguar nga qyteti për të vijuar rrugën drejt Fierit. Eskorta që shoqëroi drejtuesit e PS-së, mbërriti në Urën Vajgurore, kur një i ri qëlloi drejt rojeve të vilës së Protoduarëve, që thuhej se ishin mbështetës të Partisë Demokratike. Të vendosur mbi tarracën e vilës, rojet e Protoduarëve vranë një 17-vjeçar. Pjesa e eskortës, që mundi të kalojë vilën shkoi në Berat dhe mori përforcime të mëdha armësh municioni dhe njerëzish.

Kurse pjesa tjetër që mbeti pas, u mblodh në sheshin përpara karburantit të Urës. Disa persona rrëmbyen një autoblindë policie, duke kërcënuar uniformat blu dhe nën urdhrat e civilëve blindi i policisë u nis për tek vila e Protoduarëve. Rojet e vilës u detyruan të qëllojnë mbi tankun me predhë antitanku, pa e ditur se brenda tij kishte ende policë.

Dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut, dy të tjerët Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindit. Nga ana tjetër, rojet e vilës, të ndodhur midis dy zjarreve, mundën të tërhiqen, por jo të gjithë. Njëri prej tyre u kap rob nga kundërshtarët dhe u ekzekutua.

Trupi i tij u lidh pas një autoveture, me të cilën e zvarritën deri në Berat, ku e dogjën. Dëshmitarët kanë treguar se protagonistët e kësaj masakre, por edhe ngjarjeve të tjera të rënda, ishin simpatizantë të dy partive kryesore në vend, PS-së dhe PD-së.

Për këtë ngjarje është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm Musa Protoduari, ndërsa bashkëshortja e tij Fatbardha, ish-pronare e vilës së njohur në qendër të Urës vajgurore është dënuar me 17 vjet burg.

Artikulli paraprakHAJDUTI E DHUNON PRONARIN E BANESES DHE TENTON TË ARRATISET, POR ARRESTOHET
Artikulli tjetërKLSH KALLËZON ISH-DREJTORESHËN E ARRSH-SË SONILA QATO