I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin perëndimor, Lord Stuart Peach, takoi në Tiranë presidentin Bajram Begaj, duke theksuar vëmendjen që qeveria britanike i kushton ruajtjes së paqes dhe stabilitetit sidomos në kushtet e ndikimit nga influenca ruse tek disa prej aktorëve rajonalë. Takimi me dyer të mbyllura u bë publik përmes një njoftimi zyrtar nga zyra e Presidendës.
“Të dy bashkëbiseduesit u ndalën tek përgatitjet e vendit për zgjedhjet e ardhshme vendore, të datës 14 maj të këtij viti, tek angazhimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunimin shumë të rëndësishëm me agjencitë respektive të Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë edhe në kuadër të sigurisë kibernetike”, tha Begaj.
I dërguari i qeverisë britanike, zyrtari që bëri njoftimin publik të shpalljes non grata të Sali Berishës nga Britania e Madhe, gjatë qëndrimit në Tiranë u takua edhe me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka. Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, ata vlerësuan faktin që shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe kanë njohur rritje gjatë vitit 2022. Dy zyrtarët shprehën nevojën për ta fokusuar bashkëpunimin në fusha konkrete si infrastruktura energjetike, infrastruktura e porteve dhe ajo rrugore, të cilat janë të rëndësishme për ndërlidhjen rajonale. Vizita e të dërguarit të qeverisë për Ballkanin Perëndimor u paralajmërua nga ambasadori britanik në vendin tonë Alastair King Smith i cili paralajmëroi se gjatë këtij viti të tjerë persona të tjerë do të shpallen non grata.