Një vajzë 20 vjeçe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësor në Spitalin e Traumës në Tiranë pasi u godit disa herë me thikë nga i dashuri i cili ishte nën efektin e lëndëve narkotike.
Lajmi bëhet i ditur nga policia e Durrësit e cila tha se ka vënë në pranga 33 vjeçarin Antonio Zani, banues në Durrës, person me precedentë të mëparshëm penalë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit, në lagjen Nr.8. Sipas policisë, Zani, nën efektin e lëndëve narkotike ka tentuar të vrasë me thikë të dashurën, 20-vjeçaren me iniciale A.D, transmeton Opinion.al. Nga burimet bëhet me dihe se ai ka shkuar në banesën e gruas me iniciale N.M., ku e reja punonte si kujdestare nate për të zonjën e shtëpisë, e cila ishte invalide dhe pas një konflikti të çastit e ka goditur disa herë me thikë. Për pasojë, 20-vjeçarja ka marrë plagë të rënda në trup dhe ndodhet në Spitalin Ushtarak, nën kujdesin e mjekëve. Edhe autori i dyshuar i kësaj ngjarje ka marrë plagë në trup dhe gjithashtu ndodhet i shtruar në Spitalin e Durrësit. Në vendin e ngjarjes policia gjeti thikën me të cilën i riu plagosi të dashurën, një qese me një sasi kanabis dhe tre aparatë telefoni celularë. Sipas policisë 33-vjeçari dyshohet se ka qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike, në momentin që ka sulmuar të dashurën, ndërsa ai është emër i njohur për efektivët e qytetit bregdetar, pasi ka precedentë të mëparshëm penalë në fushën e veprave penale kundër jetës dhe lëndëve narkotike.