Jo vetëm pjesët malore të Shkodrës apo zonave të tjera të veriut janë prekur nga ngricat, akulli apo edhe temperaturat që shkojnë në minus.
Në shumë pjesë të qytetit të Shkodrës ngricat dhe pjesë me akull vështirësojnë lëvizjen e qytetarëve. Një fenomen i tillë është vënë re në disa zona të ndryshme të qytetit. Në një vëzhgim të thjeshtë të bërë gjatë orëve të paradites më shqetësues është aksi tek vendi i quajtur “Ura Dervishbeg”.
Në disa zona në atë lagje, poshtë apartamenteve kryesisht ka pjesë të ngrira të cilat janë një shqetësim jo vetëm për banorët aty pranë por edhe për kalimtarët e rastit. Edhe pse kjo situatë ndodhet prej disa ditësh në disa prej trotuareve të qytetit askush nuk ka menduar për të larguar akullin dhe për të mundësuar lëvizjen normale të qytetarëve.
Në disa raste kanë qenë vetë qytetarët të cilët kanë bërë të mundur përmes mjeteve rrethanore shkrirjen e ngricave. Kjo ka ndodhur kryesisht në afërsi të njësive tregtare dhe kanë qenë vetë pronarët apo punonjësit që kanë bërë të mundur shkrirjen e pjesëve me akull. Nuk janë vetëm trotuaret me ngrica por edhe në disa lagje të qytetit të Shkodrës, kryesisht në rrugica ky fenomen është prezent prej disa ditësh. Shkak janë bërë temperaturat e ulëta.
Gjatë ditës në Shkodër temperaturat arrijnë deri në minu 6 gradë celcius ndërsa gjatë natës -10 gradë celciues. Kjo ka bërë që zona të ndryshme në lagjet e Shkodrës të kenë prezencë akulli për disa ditë me radhë. Burime pranë spitalit të Shkodrës shprehen se ka patur raste të personave të cilët janë paraqitur për të marrë mjekim pasi kanë pësuar lëndime të lehta nga rrëshqitjet në akull.