I hodhën fjalë në rrugë një vajze “komplimenti’ fut në burg dy të rinj
TIRANE-Djem mendohuni mirë para se të ngacmoni një femër në rrugë sepse mund të përfundoni dhe në burg. Rasti i rrallë u shënua në Tiranë ku 2 djem 25 dhe 23 vjec u dënuan me burg nga Gjykata e Tiranës pasi ngacmuan seksualisht një femër. L. Behari dhe D. Bibaj u dënuan me nga 1 vit e 6 muaj burg secili pas kallzimit penal që u bëri vajza A.B 20 vjec pas ngacmimit me fjalë e gjeste që kishte pësuar nga dy djemtë teksa po ecte rrugës për në punë. Vajza në çdo rast ka hedhur poshtë faktin se është ngacmuar fizikisht nga djemtë, por sipas saj, fjalët që i janë thënë kanë qenë rënduese ndërsa gjestet nga distance që bënin djemtë e kishin trembur. Nga vendimi gjyqësor mësohet se, shtetësja A.B, e moshës njëzet vjeçe në datën 21.05.2016, rreth orës 16.30 ka dalë nga banesa e saj, për të shkuar në punë. Kur ajo ka zbritur në hyrje të pallatit, ka konstatuar të pandehurit L Behari. dhe D. Bibaj., të cilët kanë qenë të shoqëruar edhe me një person të tretë. Ata janë pozicionuar përballë shtetases, duke e ngacmuar me fjalë të tilla si: “….sa e mirë që je”, “Të hëngsha….” si dhe fjalë të tjera fyese. Këto fjalë ata i kanë shoqëruar edhe gjeste, drejtuar ndaj saj, derisa ajo ka ngritur zërin duke iu bërtitur atyre. Pikërisht në këto momente rezulton se aty është afruar edhe djali i dajës së saj dhe babai i shtetases. Ata kanë filluar të debatonin me të pandehurit, duke kërkuar shpjegime se çfarë kishin me vajzën e tyre. Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se, në atë moment në atë vend është afruar një patrullë e policisë së shtetit, e cila ishte e planizuar me shërbim në rrugën ku po ndodhte debati dhe menjëherë kanë marrë kontakt me personat që po debatonin duke u kërkuar shpjegime në lidhje me konfliktin që po zhvillohej me zë të lartë. Gjatë shqyrtimit gjyqësor u provua se, nga ana e policisë së shtetit janë shoqëruar në Komisariatin e policisë Nr.1 Tiranë, të gjithë personat e përfshirë në këtë konflikt, përfshirë edhe të pandehurit L. Behari. e D. Bibaj. dhe në vijim, pasi kryerjes së veprimeve procedurale nga ana e policisë gjyqsore, duke qenë se ishin kushtet e parashikuara në ligj, u procedua me arrestimin në flagrancë të të pandehurve në datën 21.05.2016, ora 2220, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ngacmim seksual” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal. Nga dëshmia që bëri në Gjykatë, vajza u shpreh se u trondit mjaft nga shprehjet e thëna ndaj saj si: “….sa e bukur je..”, “të hëngsha…”, lëvizje e duarve dhe bërja e xhesteve të ndryshme në drejtim të saj, xheste me natyrë seksuale, situatë kjo e cila, sipas të dëmtuarës ka zgjatur dy ose tre minuta. 20-vjeçarja deklaroi se, iu ka bërtitur të pandehurve duke u ndier e frikësuar dhe e fyer, shkak i cili buronte nga fakti se, sipas saj, ajo ndodhej pranë banesës dhe pranë një lokali ku punonte babai i saj. E pyetur në lidhje me faktin, nëse të pandehurit kishin kryer ndonjë veprim ndaj saj, në kuptimin e prekjes fizikisht të saj, vajza u shpreh se, ‘nuk e kishte prekur asnjë person’, duke përsëritur se, thjesht i ishin thënë fjalë të rënda në drejtim të saj, faktin se ishte ndier e fyer. Akuza: Konsumuan veprën, ngacmim seksual Përfaqësuesja e akuzës pretendoi se, nga analiza e plote e te gjitha akteve, dëshmive dhe fakteve të administruara gjate shqyrtimit gjyqësor, provohet se, të pandehurit kanë konsumuar tërësisht elementet e veprës penale “Ngacmim seksual” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 108/a/2 të Kodit Penal. Avokati: I bënë kompliment Kurse Mbrojtja theksoi se, rasti i sjellë për gjykim nga ana e akuzës, është i nxituar dhe keqinterpreton një traditë pozitive në lidhje me mënyrën e sjelljes ndaj të bukurës, duke e konfonduar me veprën penale të ngacmimit seksual. Trupi gjykues duke dëgjuar të dyja palët konstatoi se përveç shprehjeve me natyrë komplimenti në drejtim të vajzës, janë përdorur ndaj saj edhe gjeste me duar, gjeste për të cilat provohet se kanë pasur një valencë apo, natyrë seksuale. Gjykata konstatoi gjithashtu se fjalët dhe gjestet e përdorura nga ana e të pandehurve, kanë shkaktuar një tronditje tek vajza. Vendimi Gjykata përfundon, se të pandehurit L. Behari dhe D. Bibaj. me veprimet e tyre tyre shoqërisht të rrezikshme e të kundërligjshme kanë shkelur përcaktimet e dispozitës penale të sipërcituar, ngarkohen me përgjegjësi penale dhe duhet te deklarohen fajtorë per kryerjen e kësaj vepre penale. Gjykata deklaroi fajtorë, të pandehurit L. Behari Dhe D. Bibaj për kryerjen e veprës penale “Ngacmim seksual”, të parashikuar nga neni 108/a/1 i kodit penal dhe dënimin e tyre me 1(një) vit e 6(gjashtë) muaj burgim. Dënimin do ta vuajnë në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme.