Policia e Shkodrës ka finalizuar sot operacionin “Premtimi” dhe ka arrestuar një shtetas për mashtrim.Mësohet se ai i premtonte një gruaje marrjen e provimit të licensës në mësuesi si dhe të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin, duke e mashtruar.

Mësohet gjithashtu se Bekim Alla 49 vjeç i arrestuar tashmë nga policia i kishte marrë gruas në fjalë edhe 10 mijë euro. Mësuesja nga Shkodra me inicialet B.P ka dhënë 6 mijë euro për të marrë provimin e licencës së mësuesisë dhe 4 mijë euro për të marrë një të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin e saj.

Policia thotë se është proceduar në gjendje të lirë punonjësi i Arsimit në Drejtorinë e Tiranës, me inicialet E.S, tek i cili Bekim Alla kishte ushtruar ndikimin e tij për t’i dhënë licencnën mësueses kundrejt pagesës. Sipas policisë shtetasi E.S do të hetohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Bashkë me të për të njëjtën vepër, po hetohet në gjendje të lirë edhe një zyrtar me inicialet B.P. Operacioni policor ishte i koduar “Premtimi” ndërsa rezulton se i arrestuari është person i dënuar më parë për të njëjtat vepra penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ”Mashtrimi”.Çështja I ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakDOBRAÇ I RI, PA RRUGË E KANALIZIME
Artikulli tjetërDEMOKRATI BEFASON NË KUVEND: REFUZOJ TË BETOHEM DEPUTET