Ndarja nga jeta në mënyrë tragjikë e specialistit të turizmit Ndoc Mulaj shkaktoi hidhërim të madh te të afërmit, kolegët dhe të gjithë njerëzit e tij të dashur. Së fundmi ka qenë Dom Gjergj Meta i cili i hidhëruar nga kjo humbje i ka shprehur ngushëllime familjarëve të Mulaj-t, teksa ka shpërndarë dhe fjalën e përcjelljes së alpinistit drejt banesës së fundit. Ipeshkvi i Rrëshenit në fjalën e tij tregon se çfarë njeriu i dashur dhe besnik ka qenë Ndoc Mulaj dhe sa shumë e donte ai natyrën, alpet dhe çdo pëllëmb tokë të Shqipërisë.

Fjala e përcjelljes drejt prehjes së fundit…

Me siguri ka shumë njerëz që do kishin dashtë me t’i thanë dy fjalë zemret. Ke pikëllue shumkënd me vdekjen tande. E nuk mund ta besojmë që ai trupi yt prej alpinisti tash nuk ka ma fuqi me u çue me i dhanë përgjigje tan këtyne njerëzve që kanë ardhë sot këtu. Nuk e kishe zakon mos me I prit në kambë miqt. E sot janë shumë o Ndoc Mulaj prej gjithkahit që janë trishtue fort për ikjen tande kaq të papritun. E çka me ba tash? Për ty sot kena heshtje e lot, por edhe fjalë, kujtime e takime. Sot këtu ke prej Nikaj Mërturi, prej Dukagjini, prej Puke e prej Mirdite, prej Malësisë së Madhe, Prej Zadrime, prej Jugut e prej Veriu. Ishe i dashtun shumë more Ndoc me buzqeshjen tande, me fjalët e tua që ishin plot humor, por edhe fjalë që kur zenin vend nuk luenin ma prej vendit. Kështu janë burrat e kështu janë fjalët e burrave. Shpresova deri në fund se do t’ia dalësh, por kur mora vesh se ishe nisë përtej reve e përtej majave, drejt amshimit, m’u përfytyrue maja e Kryqit në Munellë, maja e Zepës dhe e Jezercës, majat e Shalës e të Dukagjinit, të Nikajve e të Mërturit, Rugova e plot maja të tjera që të mblidhen përreth e si dikur burrat e malsisë së Dukagjinit vikasin me të madhe: “I mjeri unë për ty o vllau jem!”. Asht gjama që u bahet burrave Ndoc e ti e din fort mirë këtë gja. Ti nuk ishe një alpinist që thjesht njeh fshetësitë e maleve. Jo! Ti ishe vetë mal. Ti e alpet ishit nji gja e vetme o Ndoci i Alpeve. Sa hërë u ke folë e sa herë të janë gjegjë. E ato alpe këtë fundviti 2021 të vikatën fort e të thanë: “Sonte Ndoc nuk të lamë me ik. Ke me bujtë këtu përgjithmonë”.

Nuk e bamë kurrë udhëtimin që patëm vendos bashkë. Të pata thanë që nuk jam mësue me ec maleve në kambë e m’u përgjigje: “Pa merak Dom Gjergj se me mue nuk mbetet kush në mal. Veç banu gati. Shkruej llastikët – thonë andej nga ne”. Vërtet kush erdhi me ty nuk mbeti në mal, por këtë fundviti ti nuk u ktheve ma prej Malit. Burra si ti i bajnë dobi këtij vendi e ti na tregove se asht e mundun me ndejt këtu në këtë vend, me e dashtë e me promovue, e mos me e lanë jetim. Çdo foto, çdo cicërime e jotja në rrjetet sociale, bisedat me ty, banin gjithkend me mendue se sa të bukura janë alpet, se sa i bukur është vendi ynë. Po! Ti na mësove të bukurën Ndoc, atë të bukur që shpesh na e zhyejmë me mediokritetin tonë, me babëzinë e një shoqërie që rend drejt përfitimit, drejt shkatërrimit të së bukurës me mure e çemento, me qiellgëvishtëse e me qëndra tregtare. Ti na mësove se jetohet në harmoni me veten dhe me të tjerët edhe duke përshku malet e duke dashtë natyrën. Kur Zoti e krijoi njeriun, i dha atij tokën me e rujt e jo me e shkatërrue, me u kujdes për të e jo me e kthy në një shkrëtinë. Ty të dhimbej çdo pemë e çdo kafshë e egër. E ti këtë amanet të Hyjit e plotësove çdo ditë të jetës tande e kështu unë të përfytyroj tash përballë Hyjit e më gjëmojnë në vësh fjalët e Tij që thotë: “Eja në luminën e Hyjit tand Ndoc, sepse ti e deshte natyrën, malet e alpet që unë i krijova.” Po, sepse natyra asht ai tempull i madh ku Zoti na ka vendosë e prej nga kemi mundësi me i dhanë lavdi atij. Kush ma shumë se ti ishte afër Tij kur u afroheshe majave e reve. Tash i kalove retë, i kalove majat e u nise për kah amshimi. Pushofsh në paqe Ndoc i dashtun. Krishti të pastë në parriz!

Kujtojmë se Mulaj ishte i shoqëruar nga gazetari Alfred Lela, Ilir Shyti inxhinier pyjesh, operatori Gisel Dollani dhe Dorien Malaj, dhe po lëviznin në këmbë në masivin pyjor të Munellës në Pukë për të bërë disa xhirime për në televizion. Ndoc Mulaj dhe Ilir Shyti u rrëzuan në humnerë dhe pas disa orësh kërkimesh u gjetën por me plagë të shumta në trup. Specialisti i pyjeve ndërroi jetë në spital, kurse inxhinieri i pyjeve Ilir Shyti fatmirësisht arriti në shpëtonte.

Artikulli paraprakDIGJET KOLORADO, REGJISTROHEN TRE VIKTIMA, BIDEN SHPALL GJENDJEN E KATASTROFËS
Artikulli tjetërITALI/ 29-VJEÇARI SHQIPTAR VETËVARET NË QELINË E BURGUT, ZBULOHET IDENTITETI