Kriza klimatike ka një çmim dhe ne po e paguajmë tashmë. Kostoja ekonomike, vlerëson Bashkimi Evropian, ka shkuar në 145 miliardë euro për shkak të neglizhencës në dhjetë vitet e fundit. Sipas Eurostat, viti i kaluar ishte rekordi për temperaturat më të larta të regjistruara në Kontinentin e Vjetër me një rritje mesatare prej mbi dy gradë.

“Vera e vitit 2022 u karakterizua nga një seri valësh intensive të të nxehtit, që çuan në rritje të temperaturës, thatësirës dhe aktivitetit të zjarrit”- shpjegojnë studiuesit.

Ekstremitetet e motit na kushtuan kaq shumë, por mesa duket kostoja nuk ishte vetëm ekonomike, por edhe shëndetësore. Një studim i publikuar nga Nature Medicine ditën e djeshme vlerëson se temperaturat përvëluese vranë mbi 61 mijë njerëz në 35 vende evropiane midis qershorit dhe shtatorit të vitit të kaluar. Dy nga tre vdekje ishin gra.

Të dhënat e siguruara në databazën e Eurostat për vdekshmërinë në vitin 2022, përfshinin analizimin e 45 milion e 184 mijë e 44 raste vdekjesh nga 823 rajonet e vendeve evropiane, që përfaqësojnë të gjithë popullsinë prej mbi 543 milionë njerëz. Për pasojë rezultoi se 61,672 vdekje në kontinentin Evropian, ndërmjet 30 majit dhe 4 shtatorit 2022, ishin të lidhura me nxehtësinë.

Sidoqoftë, vera e vitit të shkuar nuk është më e “errëta” që ka parë historia. Mbi 70,000 vdekje për shkak të temperaturave të larta ndodhën në Evropë gjatë verës së vitit 2003. Ndërgjegjësimi shoqëror që pasoi këtë sezon dramatik, çoi në hartimin dhe zbatimin e strategjive të përshtatjes për të mbrojtur popullatat në rrezik.

Megjithatë, gjatë dekadës së fundit (2013-2022), temperaturat mesatare të verës në vendet evropiane të analizuara si: Shqipëria, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qiprua, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar, u përshpejtuan me një normë afërsisht konstante prej +0,142 °C në vit, krahasuar me normën modeste prej +0,028 °C në vit në periudhën 1991- 2012.

Në këtë drejtim, temperaturat mesatare të verës 2022 ndoqën trendin rritës të vërejtur në dekadën e fundit, çka u shoqërua edhe me një rritje prej 25,561 viktimash në krahasim me shtatëvjeçarin 2015-2021, thotë raporti. Studimi i Nature Medicine vlerësoi se ngrohja globale e vëzhguar që nga viti 2015 u shoqërua me 18,547 vdekje shtesë për çdo +1 °C rritje të temperaturës, ose në terma relativë, 35.3 vdekje shtesë për milion në çdo +1 °C rritje të temperaturës.

Shifra të tilla sugjerojnë se në mungesë të përshtatjes me ngrohjen e ardhshme të verës, mund të presim një barrë vdekshmërie për shkak të nxehtësisë prej mesatarisht 68,116 vdekjesh çdo verë deri në vitin 2030; 94,363 vdekje deri më 2040 dhe 120,610 vdekje deri në 2050.

Temperatura mesatare javore (vija gri) dhe e vëzhguar (vija e zezë) (°C) në Evropë për vitin 2022. Anomalitë e temperaturës përkufizohen si diferenca midis temperaturave të vëzhguara dhe atyre bazë (hije gri).

Rekordin e vdekshmërive nga vala e të nxehtit aktualisht e mban Italia me 18,010 të vdekur për vitin 2022, e ndjekur nga Spanja me 11,324 dhe Gjermania me 8,173 viktima – pra një Top 3 “e zjarrtë” nga vendet pranë Detit Mesdhe, e pasuar nga më rajone specifike në Bullgari, Rumani, Kroaci dhe Francën Jugore.

Sipas përllogaritjeve të raportit, Italia renditej e para gjithashtu edhe për shkallën e vdekjeve për milion, me 295 viktima; e ndjekur nga Greqia me 280 viktima, Spanja 237 dhe Portugalia me 211 viktima. Në raport me popullsinë, studimi i Nature Medicine vlerësoi se shkalla e vdekshmërisë për shkak të të nxehtit ishte shumë herë më i lartë tek femrat sesa tek meshkujt.

Sipas studimit, 56% e femrave humbisnin jetën çdo vit, ndryshe nga meshkujt, norma e vdekshmërisë për të cilët nga mosha 0-64 vjeç shkonte në 41%.

Duke qenë se Evropa është “një pikë e rëndësishme e ndryshimit të klimës, këto popullsi do të ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj kushteve ekstreme të verës dhe për këtë arsye pritet të përjetojnë vdekshmëri gjithnjë e më të lartë të lidhura me nxehtësinë në të ardhmen”, paralajmërojnë studiuesit, ndërsa theksojnë “rëndësinë e forcimit të platformave të mbikëqyrjes së nxehtësisë, të planeve parandaluese dhe strategjive afatgjata të përshtatjes ndaj motit”./ Përgatiti Borisa Lala

Artikulli paraprakKOSOVA PAJTOHET TË ZVOGËLOJË PRANINË POLICORE NË 25% DHE MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE NË VERI
Artikulli tjetërAMERIKANËT VËRSHOJNË DREJT EVROPËS, CNN RENDIT EDHE SHQIPËRINË SI VEND PËR TU VIZITUAR