Gazment Bardhi, përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ka reaguar për fjalimin e kryeministrit Edi Rama për Kosovën. Bardhi thotë se Rama nuk tha asnjë fjalë kundër Kosovës, por tregoi vetëm mllefin që ka ndaj opozitës dhe Kosovës.

“E paimagjinueshme! Seanca e sotme ishte për të dënuar sulmin terrorist të Serbisë ndaj Kosovës. Edi Rama në një orë fjalim, asnjë fjalë kundër Serbisë, asnjë reflektim ndaj qëndrimeve të tij kundër interesit kombëtar, por vetëm mllef ndaj opozitës, Kosovës, institucioneve legjitime të Kosovës dhe tentativë për të nxitur përçarje irracionale të faktorit politik në Kosovë.

Fatmirësisht, Kuvendi i Shqipërisë nuk ra në kurthin e tij të përçarjes për çështjet me interes kombëtar, por ka gjetur dakordësinë për të mbështetur pa rezerva Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe për t’u distancuar nga qëndrimi personal i Edi Ramës kundër Kosovës, siç opozita kërkonte prej 2 javëve. Pas përpëlitjes 2 javore PS u tërhoq dhe Kuvendi i Shqipërisë është unifikuar me të gjithë faktorin politik në Kosovë, duke bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe duke kërkuar hetim ndërkombëtar për të.

Kjo shpjegon mllefin ndaj opozitës në Shqipëri, por nuk justifikon dot mungesën e reflektimit që edhe qeveria e Shqipërisë të unifikohet në qëndrime me qeverinë e Kosovës. Në vend të unifikimit dhe mbështetjes ndaj Kosovës, Edi Rama edhe sot zgjodhi të mos fshehë që ka një axhendë personale ndaj Kosovës, që nuk përputhet me interesin kombëtar dhe me interesin e Kosovës e qytetarëve të saj”, shkruan Bardhi.

Artikulli paraprakRAMA I ASHPËR ME KOSOVËN: PYES VETEN SA HERË RROTULLOHET NË VARR IBRAHIM RRUGOVA KUR JU I BËNI KARSHILLËK KOMUNITETIT EUROATLANTIK
Artikulli tjetër“HETIM NDËRKOMBËTAR PËR 24 SHTATORIN”, ZBULOHET DRAFT REZOLUTA KONSENSUALE PËR KOSOVËN: PRISHTINA TË PUNOJË ME ALEATËT