Tetë persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me thikë pranë një shkolle në Kinën lindore. Një 21-vjeçar u arrestua në Kolegjin Profesional dhe Teknik të Arteve dhe Zejeve Yixing në qytetin Wuxi, rreth orës 18:30 me kohën lokale (10:30 GMT), sipas një deklarate të policisë lokale.

Në deklaratë thuhet se ai ishte diplomuar nga kjo shkollë në vitin 2024 dhe kreu sulmin pasi “nuk arriti të tërhiqte diplomën për shkak të rezultateve të dobëta në provime” dhe ishte i pakënaqur me pagën e praktikës së tij. Ai pranoi krimin “pa hezitim”, tha policia. Gjithashtu, autoritetet shtuan se hetimet janë në vazhdim. Sulmi ndodhi pas një incidenti të hënën ku të paktën 35 persona humbën jetën kur një shofer përplasi makinën me turmat në një stadium në qytetin jugor të Zhuhai.

Policia tha se shoferi ishte i pakënaqur me një marrëveshje divorci, por incidenti ngjalli pyetje për një seri të fundit aktesh dhune publike në vend. Në rrjetet sociale, ka pasur diskutime për fenomenin social të “hakmarrjes ndaj shoqërisë”, ku individë të prekur nga pakënaqësi personale sulmojnë të panjohur.

Artikulli paraprakFORMACIONET ZYRTARE/ SYLVINHO ME 11 ‘LUFTËTARË’, HYSAJ NË STOL! TUCI NË MAJËN E SULMIT
Artikulli tjetërKUQEZINJTË TREGOJNË “DHËMBËT” ME LAÇIN, MBYLLET PJESA E PARË ME RRJETA TË PAPREKURA