I rrahin dhe më pas i vjedhin, në kërkim 3 autorët
Tre persona janë shpallur në kërkim nga policia e Korçës, ndërkohë që ka filluar një procedim penal ndaj tyre. Në kërkim janë vendosur Sh.T, 41 vjeçe, M.R, 22 vjeç dhe K.R, 24 vjeç, të tre banues në qytetin e Korçës. Tre personat e shpallur në kërkim janë konfliktuar gjatë mbrëmjes së djeshme me G.K, 37 vjeç dhe K.K, 21 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, të cilët si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre kanë marrë edhe plagë të lehta në trup. Ndërkohë dy të dhunuarve janë marrë edhe dy varëse floriri dhe një orë dore. Blutë e Korçës bëjnë me dije se kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Njoftimi i policisë: Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, filluan procedimin penal si edhe bënë shpalljen në kërkim të shtetasve : Sh.T, 41 vjeçe; M.R, 22 vjeç dhe K.R, 24 vjeç, të tre banues në Korçë. Procedimi ndaj tyre filloi pasi më datë 27.08.2017, në një lokal në lagjen nr 10 në Korçë, dyshohet se shtetasit e mësipërm janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasit G.K, 37 vjeç dhe K.K, 21 vjeç, të dy banues në fshatin Zvezdë, të cilët për pasojë kanë marrë plagë të lehta në trup. Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasve G.K dhe K.K, tre personat e lartpërmendur i kanë vjedhur dy varëse floriri dhe një orë dore. Nga ana e Policisë, po punohet për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.